Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shumica e vajzave dhe grave kanë qenë të abuzuara në internet

QIKA 17.3.2021

Plan International është një organizatë e pavarur e cila merret me të drejtat e fëmijëve dhe grave. Ata kanë realizuar një sondazh me të intervistuara nga 22 shtete të ndryshme të botës. Gjetjet e sondazhit jane alarmante. Shumica e grave dhe vajzave të reja gjatë përdorimit të rrjeteve sociale janë abuzuar, gjë që i ka shtyrë të mbyllnin llogaritë e tyre duke mbetur të traumatizuara.

Plan International tha që ky është një problem global dhe që kompanitë e mediave sociale i lënë vajzat të vetme kundrejt dhunës në internet. Ndërsa të intervistuarat thanë që asnjë veprim nuk ndërmirret kur këto raste raportohen.

“Këto sulme mund të mos jenë fizike, por ato shpesh janë kërcënuese, të pamëshirshme dhe kufizojnë lirinë e shprehjes së vajzave”, tha CEO i Planit Anne-Birgitte Albrectsen. “Largimi  i vajzave nga interneti i shfuqizon ato në një botë gjithnjë e më shumë dixhitale, dhe e pamundëson që aftësitë e tyre të shihen, dëgjohen dhe që ato të udhëheqin.” raporton The Guardian.

Sipas sondazhit, shumë nga vajzat ishin sulmuar për shkak të racës apo identitetit. Më shumë se një e treta e të intervistuarave i përkasin komuniteteve joshumicë dhe 56% e tyre janë gej.

Sulmet kryesisht përmbajnë gjuhë abuzuese, kërcënime për dhunë seksuale si dhe fyerje rreth pamjes fizike të grave. Si pasojë e këtyre sulmeve një e katërta e të intervistuarave deklaruan se ndiheshin fizikisht të pasigurta.

Plan ka kërkuar nga qeveritë që të obligojnë kompanitë e rrjeteve sociale të japin llogari për abuzimet që ndodhin në platformat e tyre.