Raporti i publikuar nga Democracy Plus ka gjetur se Kuvendi i Kosovës ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në një zinxhir shkeljesh përfshirë gabime e neglizhencë, kufizim të konkurrencës përmes procedurës së ndjekur dhe ndikim në kushtet e punës dhe të drejtat financiare të punëtoreve teknike që kanë kontribuar në shtypjen sistematike të punëtoreve teknike që kanë mirëmbajtur Kuvendin.
Kujtojmë se në shtator të vitit 2024, punëtoret teknike të Kuvendit, të kontraktuara nga kompania “Schafberger Jr. GmbH”, të cilat mirëmbanin Kuvendin e Kosovës, hynë në grevë me kërkesën për rritjen e pagave, nga 270 në 550 euro dhe përmirësim të kushteve të punës. Greva 79 ditore u ndëshkua kundërligjshëm me largim nga puna të punëtoreve pas nënshkrimit të kontratës së re.
Democracy Plus ka publikuar një analizë që shqyrton procesin që çoi në nënshkrimin e kontratës që ishte në fuqi gjatë periudhës së grevës, e cila fokusohet tek roli i Kuvendit të Kosovës, si autoritet kontraktues dhe identifikon shkeljet në procedurën e prokurimit publik.
Neglizhenca e Kuvendit dhe shkeljet gjatë procesit të prokurimit
Në prill të vitit 2023, Kuvendi nënshkroi një kontratë për shërbime mbështetëse me konsorciumin “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë; Uni – Project O.P.” me një vlerë prej 214,090.00 euro, kontratë që skadonte më 30 prill 2024.
Institucionet publike obligohen që të sigurojnë tranzicion të kontratave në atë mënyra që të mos mbesin pa shërbime. Kështu, për vitin 2024, Kuvendi planifikoi të niste procedurat për kontratën e re në janar të 2024, në mënyrë që të kishte 4 muaj kohë për përfundimin e procesit të prokurimit dhe nënshkrimit të kontratës. Megjithatë, këtë proces Kuvendi e nisi tek me më 20 mars 2024, me afatin përfundimtar për dorëzimin e ofertave më 30 prill 2024 – ditën e skadimit të kontratës ekzistuese. Kjo vonesë 58 ditëshe e pamundësoi sigurimin e kontratës së re brenda afateve të rregullta, sepse është e pamundur që vlerësimi i ofertave dhe nënshkrimi i kontratës së re të realizohet në ditën kur mbyllet afati për dorëzimin e tyre.
“Në bazë të Rregullores së Prokurimit Publik, vlerësimi i ofertave dhe finalizimi i kontratës duhet të zgjasë të paktën 30 ditë. Për shembull, gjatë procedurës së njëjtë në vitin 2023, Kuvendit i ishin dashur 37 ditë për të finalizuar kontratën. Kështu, për shkak të vonesës së Kuvendit, institucionit i duhej të gjente një zgjidhje të shpejtë për të siguruar shërbimet e pastrimit pas skadimit të kontratës së vjetër.”
Pse u anulua procedura e hapur?
Përveç vonesës në inicim të procesit, Kuvendi i Kosovës kishte bërë një gabim edhe gjatë hartimit të Dosjes së Tenderit në procedurën e hapur, çka rezultoi në anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit. Ky gabim lidhej me përfshirjen në të njëjtën kontratë të disa kategorive të ndryshme shërbimesh, të cilat kërkonin trajtim të veçantë.
Për mirëmbajtjen teknike, duhej të përdorej një kontratë kornizë me çmim të peshuar, pasi prishjet dhe dëmtimet e pajisjeve janë të paparashikueshme. Duke qenë se bëhej fjalë për shërbime heterogjene, një kompani e vetme nuk mund t’i ofroi të gjitha me cilësi dhe efikasitet, ndaj kontrata duhej të ndahej në lote për të siguruar konkurrencë më të gjerë.
“Ky aktivitet i prokurimit, me vlerë të parashikuar prej 630,000.00 euro, u monitorua nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), i cili rekomandoi ndarjen në lote të këtij aktiviteti të prokurimit për të siguruar konkurrencë. Megjithatë, pasi Kuvendi e kishte inicuar këtë aktivitet si një kontratë të vetme, ndarja në lote në këtë fazë nuk ishte e mundur, ndaj procedura u anulua më 5 prill 2024.”
Si u favorizua kompania “Schafberger” përmes krijimit të situatës emergjente dhe kontratës njëburimore?
Pas anulimit të procedurës së hapur, Kuvendi inicioi një procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, duke argumentuar se ishte krijuar një situatë emergjente.
Sipas arsyetimit të dërguar KRPP-së, ndërtesa e Kuvendit nuk mund të mbetej asnjë ditë pa shërbime të mirëmbajtjes higjienike dhe teknike, pasi kjo do të ndikonte në funksionalitetin e saj.
“Përdorimin e kësaj procedure, Kuvendi e bazoi në nenin 35 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), i cili parasheh rastet se kur mund të kufizohet konkurrenca e lirë mes operatorëve ekonomikë. Megjithatë, arsyetimi i dhënë nga Kuvendi, nuk plotëson kushtet e përcaktuara në këtë nen. Kjo procedurë mund të përdoret vetëm në rastet kur ekziston një emergjencë ekstreme, e cila është objektivisht e verifikueshme dhe nuk ka mundur të parashikohet nga autoriteti kontraktues. Ky nen specifikon se kjo procedurë nuk mund të përdoret nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente mund t’u atribuohen veprimeve neglizhente ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues.”
Në këtë rast, emergjenca e krijuar nuk ishte e jashtme dhe e paparashikueshme, por ishte rezultat i drejtpërdrejtë i dështimit të Kuvendit të Kosovës për të menaxhuar procesin e prokurimit. Kuvendi ishte në dijeni për më shumë se një vit se kontrata ekzistuese për shërbimet mbështetëse do të përfundonte më 30 prill 2024, ndaj përkundër planifikimit të saktë, ky institucion vonoi në inicimin e procedurës së hapur të prokurimit e pastaj gaboi duke mos e ndarë në lote të veçanta.
Në këto rrethana, Kuvendi mbeti pa kontratë për shërbime mbështetëse dhe përdori këtë emergjencë të krijuar si bazë për të justifikuar procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Ky institucion, ftoi për ofertim kompaninë “Schafberger Jr. GmbH”, me të cilën nënshkroi një kontratë gjashtëmujore për pastrimin dhe mirëmbajtjen higjienike, me vlerë 65,981.94 euro. “Ky veprim jo vetëm që kufizoi konkurrencën, por edhe favorizoi në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë kompani, pasi asnjë operator tjetër nuk kishte mundësinë të ofertonte për këtë kontratë”, thuhet në analizë.
Katër muaj pas nënshkrimit të kontratës së re njëburimore nr. 101-24-4341-2-2-5/C133, punëtoret teknike hynë në grevë. Gjatë grevës, Kuvendi mbajti qëndrim neutral ndaj kërkesave të punëtoreve, duke argumentuar se, si autoritet kontraktues, Kuvendi ishte vetëm pranues i shërbimeve të ofruar nga operatori ekonomik i kontraktuar, dhe, sipas legjislacionit në fuqi, nuk kishte të drejtë të ndërhynte në përzgjedhjen e stafit, apo në kushtet e punës që përcaktoheshin nga kompania.
Megjithatë, analiza dëshmon se përveç administrimit të procedurave të prokurimit, Kuvendi kishte rol aktiv në përcaktimin e pagave të punëtorëve teknikë në kontratat e mirëmbajtjes. Në kontratën e vitit 2023, të nënshkruar me konsorciumin e operatorëve ekonomikë “Schafberger Jr. GmbH – Dega Kosovë; Uni – Project O.P.”, Kuvendi kishte përcaktuar në Dosjen e Tenderit pagën minimale bruto për stafin e mirëmbajtjes higjienike, e cila ishte 300 euro. Po ashtu, në kontratën e vitit 2022, kishte përcaktuar një pagë minimale bruto prej 280 eurosh për të njëjtin staf. Këto dy kontrata dëshmojnë se Kuvendi kishte diskrecion në përcaktimin e një niveli të pagave në kontratat për sigurimin e shërbimeve mbështetëse.
Në kundërshtim me këto raste, në kontratën njëburimore të nënshkruar në maj të vitit 2024 me kompaninë “Schafberger”, Kuvendi nuk përcaktoi nivel të pagave minimale, as në Dosjen e Tenderit dhe as në kontratë. Argumenti se çështja e pagave ishte ekskluzivisht përgjegjësi e kompanisë bie ndesh me praktikat e mëparshme të këtij institucioni. “Për më tepër, duke qenë se kontrata e vitit 2024, e cila ishte në fuqi gjatë grevës, ishte dhënë përmes një procedure të negociuar, Kuvendi kishte një rol edhe më të rëndësishëm në përcaktimin e kushteve të kontratës, përfshirë pagat e punëtorëve, pasi operatori ekonomik nuk ishte i obliguar të ofronte çmim më të ulët për të fituar kontratën.”
Përveç pagës minimale, Kuvendi në vazhdimësi përcaktonte edhe kushtet e orarit të punës dhe kompensimit financiar të punëtoreve. “Në Dosjen e Tenderit për kontratën gjatë së cilës ndodhi greva, Kuvendi kishte përcaktuar se nuk do të kishte kompensim shtesë për punën pas orarit apo gjatë fundjavë.”
Po ashtu, në këtë dokument parashikohej organizimi i kujdestarisë 24 orë në shtatë ditë të javës, pa ndonjë kompensim shtesë për këtë angazhim. Specifikime të ngjashme ishin përfshirë edhe në Dosjen e Tenderit të vitit 2023, ku parashihej se, nëse kërkohej, të gjithë punëtorët e kompanisë duhet të punonin jashtë orarit apo gjatë fundjavave, pa kompensim shtesë financiar. Kjo bie në kundërshtim me Ligjin e Punës, i cili parasheh pagesë shtesë për punën jashtë orarit, gjatë fundjavës dhe ditëve të festave, duke garantuar kompensim në përqindje të pagës bazë për këto angazhime.
Duke përcaktuar në dokumentet e tenderit se asnjë punëtor i kompanisë nuk do të merrte pagesë shtesë për punën jashtë orarit, Kuvendi krijoi një bazë që mundësonte shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga kompania e kontraktuar.
Edhe pas grevës, Kuvendi nënshkroi një tjetër kontratë njëburimore me të njëjtën kompani, në të cilën përcaktoi pagën minimale bruto në shumën 450 euro. “Megjithatë, edhe në këtë kontratë, Kuvendi përfshiu një klauzolë sipas së cilës puna jashtë orarit ose gjatë fundjavave nuk do të kompensohej financiarisht. Që nga viti 2018, Kuvendi i Kosovës ka nënshkruar nëntë (9) kontrata për shërbime mbështetëse me kompaninë “Schafberger”, nga të cilat gjashtë (6) janë kontrata njëburimore.”
Analizën e plotë e gjeni këtu.