Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Si ndihen atletet kur detyrohen të zgjedhin mes një pamjeje “të fortë” apo “feminine”

QIKA 11.9.2023

Është thelbësore që atletët të ndihen pozitivë për imazhin e trupit dhe shëndetin mendor nëse duan të arrijnë potencialin e tyre. Atletët e rinj profesionistë bëjnë sakrifica, për shembull, duke hequr dorë nga angazhimet familjare dhe nga jeta shoqërore dhe duke duruar vështirësi financiare, që ndryshojnë rrjedhën e tyre të jetës.

Ata ia kushtojnë jetën arritjeve sportive, por presionet nga media dhe vetë trajnerët e tyre për fizikun e tyre në disa raste i bëjnë ata më të shqetësuar për pamjen e duhur sesa performancën e tyre. Shumë gra atlete kanë folur për presionin që ndjejnë në lidhje me trupin e tyre dhe mënyrën se si duken. Një studim i vitit 2017 me atletet suedeze zbuloi se pjesëmarrëset mendonin se ishin të detyruara të zgjidhnin midis një trupi që performon mirë në fushën atletike ose një trupi prej modeleje.

Kohët e fundit, alpinistja legjendare amerikane Beth Rodden foli për presionin që ndjente për të pasur një trup muskuloz për fotosesione, madje edhe kampionia olimpike e atletikës Jessica Ennis-Hill u quajt dikur “e trashë” nga një zyrtar i Atletikës në Mbretërinë e Bashkuar. Rishikimi i Whyte 2022 mbi akuzat për abuzim në gjimnastikën britanike zbuloi se trajnerët shpesh i turpëronin publikisht gjimnastët e rinj për peshën e tyre, raporton The Conversation.

Një studim sportiv i BT-së i vitit 2014 zbuloi se 80% e 110 atleteve elitare gra pjesëmarrëse në hulumtim, ndjenin presion për t’u përshtatur me një “imazh dhe lloj të caktuar trupi”.

Në vitin 2022, studiuesit intervistuan 47 persona të përfshirë në industrinë e futbollit të grave në Angli, duke përfshirë lojtarë dhe trajnerë dhe zbuluan se lojtaret ishin “nën nivel”. Kjo do të thotë se ato nuk hanë mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e tyre për energji.

Studimi zbuloi se gratë dhe vajzat ushqeheshin më pak për shkak të keqkuptimeve rreth karbohidrateve dhe frikës nga shtimi në peshë. Studiuesit sugjeruan se “frika nga karbohidratet” përkeqësohet nga presioni nga mediat sociale dhe trajnerët. Është e dokumentuar mirë se çrregullimet e të ngrënit kanë një efekt negativ si në aftësinë fizike ashtu edhe në performancën sportive.