Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Sindromi para-menstrual (PMS) tani njihet si çështje e shëndetit publik

QIKA 12.9.2022

Sipas një studimi të ri, ndryshimet e humorit dhe ankthi para menstruacioneve janë aq të zakonshme sa ato përfaqësojnë një çështje kyçe të shëndetit publik globalisht. Studiuesit nga Universiteti i Virxhinias thonë se 64% e grave përjetojnë këto simptoma.

Ky studim zbulon se shumica e grave përjetojnë simptoma të sindromit premenstruale (PMS) para çdo cikli menstrual, simptoma të cilat ndikojnë rregullisht në jetën e tyre të përditshme. Pavarësisht nga mosha, një nga simptomat më të zakonshme të PMS të raportuara është luhatjet e humorit ose ankthi. Në të gjitha grupmoshat, të paktën 61% e grave raportojnë simptoma të lidhura me humorin gjatë çdo cikli menstrual. Studiuesit shpjegojnë se simptomat e ndryshimit të humorit para menstruacioneve ose edhe gjatë ciklit janë një çështje kyçe e shëndetit publik globalisht.

“Studimi ynë tregon se simptomat e humorit paramenstrual janë tepër të zakonshme në mbarë botën,” thotë autorja e studimit Jennifer L. Payne, MD, drejtore e Programit të Hulumtimeve të Psikiatrisë Riprodhuese në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Virxhinias, në një njoftim universitar. “Më e rëndësishmja është se shumica e grave raportuan se simptomat e tyre premenstruale interferojnë në jetën e tyre të përditshme” – thotë ajo.

Autorët e studimit fillimisht u përpoqën të kuptojnë më mirë spektrin e simptomave të PMS që përjetojnë gratë, si dhe se si ato simptoma ndikojnë në jetën e tyre të përditshme. Për këtë qëllim, ekipi analizoi mbi 238,000 përgjigje të grave të anketuara midis moshave 18 dhe 55 vjeç që jetojnë në 144 vende.