Skocia u bë shteti i parë që ofron produkte menstruale falas në vende publike, duke përfshirë kështu tamponët dhe pecetat higjienike. Kjo konsiderohet si një fitore historike për lëvizjen globale kundër varfërisë menstruale.
Parlamenti Skocez në nëntor të vitit që lamë pas, votoi unanimisht në favor të projektligjit për produktet menstruale raporton CNN. Kjo nënkupton që produktet menstruale do të jenë të qasshme në ndërtesat publike duke i përfshirë shkollat dhe universitetet në Skoci. Duke u bazuar në rregullat e reja, përgjegjësia i bie autoriteteve lokale dhe atyre edukative të sigurohen që produktet janë në dispozicion falas.
“Kjo fushatë është mbështetur nga një koalicion i gjerë i cili përfshinë sindikatat e tregtisë, organizatat e grave si dhe ato bamirëse,” tha përpara votimit Monica Lennon, ligjvënëse e cila prezantoi projektligjin vitin e kaluar. Pas votimit, Lennon tha se vendimi ishte “një sinjal për botën që qasja në produkte menstruale falas mund të arrihet.”
Ligji i ri është pritur shumë mirë nga një numër i madh i grupeve për barazi dhe të drejta të grave si dhe nga politikanët nga parti të ndryshme të Parlamentit Skocez.
“Jam krenare që votova këtë legjislacion novator, duke e bërë kështu Skocinë shtetin e parë në botë që ofron produkte menstruale pa pagesë për të gjitha ato gra qe kanë nevojë për to. Kjo është një politikë shumë e rëndësishme për gratë e vajzat”, ka shkruar ministrja e parë e Skocisë Nicola Sturgeon në llogarinë e saj në Twitter pas votimit.
Një nga 10 vajza në Mbretërinë e Bashkuar e ka pasur të pamundur të përballojë blerjen e produkteve menstruale, duke u bazuar në sondazhin e 2017 të Plan International UK. Sondazhi poashtu dëshmon se gati gjysma e vajzave të moshës 14 deri në 21 turpërohen nga menstruacionet, përderisa afërisht gjysma kanë munguar një ditë në shkollë për shkak tyre.
Kjo masë e Skocisë ka ardhur pas një varg tentimesh të kohëve të fundit për të parandaluar mungesën e produkteve menstruale brenda shtetit.