Sipas legjislacionit të propozuar i cili do të prezantohet javën e ardhshme, Spanja mund të bëhet vendi i parë perëndimor që lejon gratë të marrin ditë pushimi përgjatë menstruacioneve.
Qeveria spanjolle pritet të miratojë masën e re si pjesë e një projektligji më të gjerë për shëndetin riprodhues dhe të drejtat e abortit, detajet e të cilit pritet të zbulohen të martën.
Ligji i propozuar do të prezantojë të paktën tri ditë pushim shëndetësor çdo muaj për gratë që vuajnë nga dhimbje të forta menstruale (simptomat përfshijnë dhimbje akute abdominale, diarre, dhimbje koke dhe temperaturë), sipas gazetës El Pais.
Gazeta raporton se kjo “leje me mbikëqyrje mjekësore” mund të zgjatet edhe në pesë ditë për gratë që vuajnë nga ngërçe të rënda, të përziera, marramendje dhe të vjella. Ndërsa, sipas Shoqatës Spanjolle të Gjinekologjisë dhe Obstetrikës, rreth një e treta e grave që kanë menstruacione vuajnë nga dhimbje të forta të njohura si dismenorrhea.
Megjithatë, propozimi për pushim menstrual nuk është një punë e kryer dhe ka shkaktuar disa polemika në Spanjë.
Ky legjislacion ka shkaktuar përqarje mes koalicionit të së majtës të cilët janë ndarë në dy grupe. Ndërkohë që e majta Podemos po e shtyn këtë legjislacion para, disa socialistë kanë shprehur shqetësimin se pushimi menstrual mund të rezultojë kundër grave duke dekurajuar punëdhënësit që t’i punësojnë ato.
Njashtu, ky projektligj do të ulë TVSH-në për produktet e higjienës menstruale në dyqane dhe do t’i ofroj ato falas në shkolla dhe qendra arsimore.
Globalisht pushimi menstrual aktualisht ofrohet vetëm në një numër të vogël vendesh, duke përfshirë Japoninë, Tajvanin, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Zambinë.
Shkruar nga: