Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Studentët djem koordinojnë thirrje abuzuese masive kundrejt vajzave në një kolegj në Spanjë

QIKA 19.10.2022

Protesta masive u organizuan në Spanjë këtë javë pas rastit ku më shumë se 100 studentë djem morën pjesë në një ngjarje të organizuar në një kolegj në Madrid.

Në videon tronditëse të shpërndarë në mediat sociale, dhjetëra dritare hapen menjëherë për të zbuluar grupe të rinjsh me ndriçim nga prapa duke bërtitur thirrje tw abuzuese të koordinuara në drejtim të një kolegji vajzash aty pranë.

Ngjarja u organizua nga studentët në kolegjin Elías Ahuja. Në video, studentët këndojnë në spanjisht, “Kurva, dilni nga strofkat tuaja si lepuj. Ju jeni nimfomane”. Rita Maestre, zëdhënësja e Más Madrid, një parti progresive, dënoi sjelljen e studentëve, duke shkruar: “Ende ata pyesin veten se pse ne gratë kemi frikë nga rruga”.

Kolegji Elías Ahuja lëshoi një deklaratë publike të mërkurën duke e quajtur sjelljen “të papranueshme”. Elías Ahuja tha se do të marrë masa kundër studentëve të përfshirë, do të ofrojë falje publike dhe do të sigurojë që trupi studentor të ndjekë ligjëratat e detyrueshme të barazisë gjinore.

Legjislacioni për barazi gjinore dhe kundër përdhunimit ka qenë në qendër të bisedave mbarëkombëtare në Spanjë për disa vite me radhë. Në gusht, qeveria spanjolle miratoi një ligj të shumëpritur, të njohur si projektligji “vetëm po do të thotë po”, i cili siguron që çdo marrëdhënie seksuale që kryhet pa pëlqim mund të ndiqet penalisht si përdhunim. Para këtij ligji, që një krim të konsiderohej përdhunim, duhej të vërtetohej prezenca e dhunës dhe detyrimit.