Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Studimet zbulojnë se burrat australianë paguhen dyfish më shumë se gratë

QIKA 21.2.2022

Është e pavërtetë kur thuhet se nuk ka dallim gjinor në paga. Publikimet e të dhënave nga Agjencia për Barazi Gjinore në Vendin e Punës në Australi tregojnë ngecjen e organizatave për ta rregulluar këtë çështje.

Të dhënat e fundit të kësaj agjencie, duke u bazuar në më shumë se 4 milionë punonjës në gjithë Australinë, tregojnë se midis 1 prillit 2020 dhe 31 marsit 2021, gratë kanë fituar mesatarisht 26,000$ më pak se burrat.

Sondazhet tregojnë se gratë bëjnë një pjesë më të madhe të punëve të papaguara të shtëpisë dhe përgjegjësive të tjera të kujdesit të papaguar, të tilla si kujdesi për prindërit e moshuar. Ndërsa, në periudhën e pandemisë, 62% e grave kanë shpenzuar mbi pesë orë në punët e papaguara të shtëpisë, krahasuar me 35% të burrave. Gjithashtu, gratë shpenzojnë më shumë kohë në kujdesin për fëmijët (38% krahasuar me 28% të burrave), kujdesin për të rriturit (16% krahasuar me 7% të burrave) si dhe në gatim (64% krahasuar me 37% të burrave), raporton ABC News.

Pabarazitë gjinore vërehen edhe sa i përket vendeve të punës, ku burrat dominojnë shumicën e bordeve të kompanive, me ç’rast 74% e bordeve kanë më shumë se 60% anëtarë burra dhe 22% e tyre përbëhen vetëm nga burrat. Ndër të tjera edhe hendeku gjinor në paga është mëse i dukshëm, ku të dhënat tregojnë se burrat paguhen dyfish më shumë se gratë. Kështu, burrat fitojnë mbi 120,000$, ndërsa gratë fitojnë më pak se 60,000$ në vit.

Agjencia për Barazi Gjinore në Vendin e Punës pohon se demografia luan një rol në pabarazitë gjinore, me ç’rast grupet që janë të margjinalizaura ose ato grupe që kanë një status të pafavorshëm socio-ekonomik, kanë gjasa të mos përfshihen fare në të dhëna.

Studimet tregojnë se gratë ndër të tjera penalizohen nëse përpiqen të negociojnë për rritje page. Një studim i vitit 2018, i publikuar nga studiues nga Cass Business School i Universitetit të Londrës në City dhe Universiteti i Warwick, i cili anketoi 4600 punonjës të zgjedhur rastësisht në 800 vende pune në Australi në 2014, zbuloi se grave nuk u miratohet kërkesa për rritje page. Një studim tjetër i publikuar në vitin 2019 nga Universiteti i Sidney-t zbuloi se ndërsa gratë duan të negociojnë për paga më të mira, ato kanë më pak gjasa ta bëjnë një gjë të tillë.