Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Studimi i ri zbulon se gratë në SHBA ndërpriten shpesh gjatë seancave në kongrese

QIKA 22.6.2022

Anëtarët e kongreseve duhet të kenë mundësi të barabarta për të biseduar rreth ideve të tyre. Megjithatë, kur gratë anëtare e kanë radhën për të folur, ato shpesh herë ndërpriten.

Sipas të dhënave të publikuara së fundmi në American Political Science Review, gratë anëtare kanë shumë më shumë gjasa të ndërpriten sesa burrat gjatë seancave dëgjimore të komitetit të kongresit. Kjo ndodhë veçanërisht në komisionet e Senatit, ku gratë kanë rreth 10% më shumë gjasa të ndërpriten.

Studimi shfaqë se gratë ndërpriten dyfish më shumë se burrat në seancat dëgjimore të kongresit kur diskutohen çështjet e grave, duke përfshirë të drejtat riprodhuese, abortin dhe kujdesin ndaj fëmijëve, raporton Emory University.

“Sipas të dhënave tona, gratë përballen me ndërprerje nga kolegët e tyre për plot 8 deri në 10 minuta kohë dëgjimi. Burrat ndërpriten shumë më pak”, tha Joe Sutherland, asistent profesor i teorisë dhe metodave sasiore në Universitetin Emory si dhe autor i studimit. Sipas tij, gratë në kongres mund të hasin në vështirësi më të mëdha për t’i shfaqur idetë e tyre sepse ato ndërpriten, veçanërisht në fushat e politikave, duke përfshirë çështjet e grave, ku ato mund të avokojnë fuqishëm në emër të atyre që i kanë zgjedhur.

Sutherland dhe Michael G. Miller, asistent profesor i shkencave politike në Kolegjin Barnard, shqyrtuan modelet e të folurit nga më shumë se 24,000 seanca dëgjimore të komitetit të kongresit nga viti 1994 deri në 2018. Duke përdorur teknikat e përpunimit të gjuhës natyrore, ekipi analizoi 24 milionë rreshta të fjalës.

Profesorët, njëherit edhe autorët e këtij studimi u befasuan kur zbuluan se gratë përballen me ndërprerje më të shpeshta në Senat, sepse ky i fundit ka një reputacion si organi më i nderuar këshillues në botë. Ata planifikojnë që të zgjerojnë hulumtimin në institucione të tjera të SHBA-së, të tilla si Gjykata e Lartë.