Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Studimi zbulon se gratë me ngjyrë ndihen të nënvlerësuara në punë

QIKA 18.11.2021

Në hulumtimin e realizuar nga Iniciativa e Lidershipit Billie King dhe nFormation, rezulton se gratë e zeza, aziatike dhe të racave të përziera ndihen të nënvlerësuara në punë.

Billie King, ish teniserja amerikane, karrierën e saj e ka kaluar duke luftuar për barazinë e grave në sport. Së fundmi ajo ka financuar një studim mbi përvojat e grave me ngjyrë në vendin e punës. Gjetjet e hulumtimit janë shqetësuese, me ç’rast gati tre të katërtat e pothuajse 1200 grave të anketuara dhe intervistuara pohojnë se u duhet ta dëshmojnë veten e tyre vazhdimisht në vendin e punës.

Të dhënat e hulumtimit tregojnë se dy të tretat e grave shprehën se nuk kanë qasje te sponsorët dhe 57% thanë se idetë e tyre mbi projektet e punës u pranohen por që nuk u jepen meritat që u takojnë. Ndër të tjera, 76% e tyre pohuan se sjellin aftësi unike në vendet e tyre të punës, ndërsa 68% e tyre shprehin mendimet e tyre edhe në situata të pakëndshme, raporton Fast Company.

E pyetur në një intervistë të Fast Company, se pse kishte vendosur të financojë këtë hulumtim, King tha se është shumë e rëndësishme të dëgjojmë historitë, të vërtetat dhe përvojat e grave me ngjyrë. Ndërsa, Rha Goddess, bashkëthemeluesja e nFormation, tha se duhet të gjejmë mënyra si të avokojmë, mbështesim dhe të qëndrojmë së bashku me njëra-tjetrën.

Deepa Purushothaman, poashtu bashkëthemeluese e nFormation, argumentoi se ishte më se e kënaqur për hulumtimin për arsye se ngjallë diskutimet mbi padrejtësitë dhe nxitë iniciativat për përmirësim të gjendjes aktuale. Ajo tha se në këtë moment ka mundësi të jashtëzakonshme për të bërë gjërat më ndryshe dhe më shumë hapësirë për të dëgjuar përvojat e grave me ngjyrë në vendin e tyre të punës.