Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Taksa mbi pecetat menstruale në Gana privon vajzat nga shkolla

QIKA 1.3.2023

Në Gana, 9 nga 10 vajza humbasin shkollën gjatë kohës së menstruacioneve të tyre, kurse 44% – 45% e nxënëseve në Ganën veriore përdorin lecka për të menaxhuar gjakun menstrual për shkak të pamundësisë për të blerë peceta higjienike njëpërdorimshme.

Përveç normës aktuale të inflacionit, e cila ka rritur çmimet e mallrave esenciale, pecetat i nënshtrohen gjithashtu një takse 32.5%, e cila përfshin një TVSH 12.5% dhe taksë luksi 20%.

Zonja Fuseini Pagnaa, një grua 30-vjeçare, ka përdorur lecka si produkte sanitare gjatë periudhës së saj menstruale për muajt e fundit. Ajo nuk është në gjendje të kujtojë herën e fundit që përdori peceta higjienike njëpërdorimshme. Ndonëse, zonja Pagnaa nuk ndihet rehat me leckat, ajo është e detyruar t’i përdorë ato sepse nuk mund të përballojë më blerjen e pecetave, raporton VOA News.

Atiah Solina, një nxënëse e shkollës së mesme Yilonaa Yili në rrethin Sagnarigu, nuk ndihet rehat për të ndjekur mësimet sa herë që përdorë lecka gjatë menstruacioneve. “Gjithmonë ndihem e trishtuar kur më afrohen periodat, sepse më duhet të përballem me shqetësime torturuese dhe ndonjëherë të humbas orët mësimore”, tha ajo.

Në vitin 2020, qeveria premtoi të heqë taksat për pecetat higjienike dhe të shpërndajë pako falas për studentët dhe gratë me të ardhura të ulëta.

Nënkryetari, Dr. Mahamudu Bawumia, e bëri njoftimin gjatë nisjes së manifestit të partisë në vitin 2020 në Universitetin e Cape Coast, duke thënë se është e domosdoshme eliminimi i tarifave për të përmirësuar higjienën menstruale të studentëve, veçanërisht vajzave. Megjithatë, që nga atëherë nuk ishte bërë asgjë lidhur me këtë çështje.