Talibanët ua kanë ndaluar grave universitetin në Afganistan, duke shkaktuar dëshpërim në mesin e të rinjve në vend. Ky ndalim kufizon më tej arsimimin e grave.
Disa gra organizuan protesta në Kabul të mërkurën.
“Sot ne dalim në rrugët e Kabulit për të ngritur zërin kundër mbylljes së universiteteve të vajzave,” thanë protestueset nga grupi Uniteti dhe Solidariteti i Grave në Afganistan. Mirëpo këto protesta u heshtën shpejt nga zyrtarët talibanë.
“Ata shkatërruan urën e vetme që mund të më lidhë me të ardhmen time,” tha një studente e Universitetit të Kabulit për BBC-në.
“Si mund të reagoj? Unë besoja se mund të studioja dhe të ndryshoja të ardhmen time ose të sillja dritën në jetën time, por ata e shkatërruan atë,” shtoi ajo.
Një studente tjetër e cila kishte studiuar ligjin islamik të Sheriatit, argumentoi se ligji i ri i talibanëve binte në kundërshtim me “të drejtat që Islami dhe Allahu na kanë dhënë”.
“Ata duhet të shkojnë në vendet e tjera islamike dhe të shohin se veprimet e tyre nuk janë islamike”, tha ajo për BBC.