Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Talibanët ia ndalojnë grave studimet universitare

QIKA 22.12.2022

Talibanët ua kanë ndaluar grave universitetin në Afganistan, duke shkaktuar dëshpërim në mesin e të rinjve në vend. Ky ndalim kufizon më tej arsimimin e grave.

Disa gra organizuan protesta në Kabul të mërkurën.

“Sot ne dalim në rrugët e Kabulit për të ngritur zërin kundër mbylljes së universiteteve të vajzave,” thanë protestueset nga grupi Uniteti dhe Solidariteti i Grave në Afganistan. Mirëpo këto protesta u heshtën shpejt nga zyrtarët talibanë.

“Ata shkatërruan urën e vetme që mund të më lidhë me të ardhmen time,” tha një studente e Universitetit të Kabulit për BBC-në.

“Si mund të reagoj? Unë besoja se mund të studioja dhe të ndryshoja të ardhmen time ose të sillja dritën në jetën time, por ata e shkatërruan atë,” shtoi ajo.

Një studente tjetër e cila kishte studiuar ligjin islamik të Sheriatit, argumentoi se ligji i ri i talibanëve binte në kundërshtim me “të drejtat që Islami dhe Allahu na kanë dhënë”.

“Ata duhet të shkojnë në vendet e tjera islamike dhe të shohin se veprimet e tyre nuk janë islamike”, tha ajo për BBC.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.