Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Gratë gazetare në terren, burrat në debate

Donika Gashi 31.1.2026

Gratë në terren, burrat në ekran

Gjatë periudhës shtator-dhjetor 2025, dezinformimi që ka shënjestruar gra figura publike në Kosovë është shfaqur në forma të përsëritura dhe të strukturuara. Nga monitorimi i publikuar në platformën Kryptometri të KALLXO-s, janë identifikuar të paktën 20 raste gjatë kësaj periudhe ku në qendër të përmbajtjeve të fabrikuara, të manipuluara apo të rreme kanë qenë gratë. Video të fabrikuara me inteligjencë artificiale, deklarata të rreme dhe fotografi të manipuluara kanë pasur shpesh në fokus integritetin personal dhe profesional të grave në hapësirën publike.

Ky ambient i presionit digjital dhe i sulmeve të personalizuara krijon një klimë që ndikon jo vetëm në reputacionin e grave figura publike, por edhe në praninë dhe përfaqësimin e tyre në hapësirat mediatike.

Në çdo edicion lajmesh në Kosovë përsëritet i njëjti skenar: gratë gazetare raportojnë nga terreni, nga institucionet dhe vendngjarjet, por rrallëherë dëgjohen si burime dhe edhe më rrallë janë të ftuara si mysafire në studio. Ato janë të pranishme aty ku ndodh lajmi, përfshirë edhe temat politike, ndërsa hapësira për analizë dhe koment në ekran u lihet kryesisht burrave.

Për të analizuar këtë hendek midis pranisë së grave në terren dhe përfaqësimit të tyre në ekran, është realizuar një analizë e përmbajtjes mbi edicionet qendrore të lajmeve dhe emisionet politike gjatë muajit tetor 2025. Kampioni është ndërtuar përmes kampionimit të shtresëzuar sipas javëve, duke përzgjedhur nga një edicion lajmesh dhe një emision politik në secilën javë të muajit, me qëllim që të shmanget fokusimi në ngjarje të izoluara dhe të sigurohet një pasqyrë më përfaqësuese e përmbajtjes televizive në prime-time. Kjo qasje është e bazuar në praktikat standarde të analizës mediatike, të cilat synojnë të ofrojnë një panoramë të mënyrës se si praktikat redaktoriale dhe përfaqësimi gjinor ndodh gjatë një periudhe të caktuar.

Në këtë kuadër, janë analizuar katër edicione të lajmeve qendrore të RTK-së, Klan Kosovës dhe TV Dukagjinit (1, 6, 18 dhe 22 tetor), si dhe katër edicione të Rubikon dhe Debat Plus (1, 6, 16 dhe 22 tetor). Në rastin e RTK-Prime, datat e emisionit politik janë të ndryshme, për shkak të kufizimeve në qasjen dhe arkivimin e episodeve online, ndaj analiza është fokusuar vetëm në episodet e disponueshme publikisht gjatë javëve të treta dhe të katërta të tetorit. 

Kjo strategji siguron që të dhënat të jenë të verifikueshme dhe të reflektojnë në mënyrë të qëndrueshme tendencat reale të përfaqësimit gjinor në lajmet dhe debatet politike në prime-time.

RTK – Lajmet Qendrore &  RTK-Prime

Gjatë katër edicioneve të lajmeve qendrore të RTK-së në tetor 2025 u analizuan 40 kronika. Prej tyre, 23 u realizuan nga gazetare gra dhe 17 nga gazetarë burra. Nga 99 burime të përdorura në total, vetëm 28% ishin gra. Edhe pse gazetaret gra përdorën më shumë burime gra sesa kolegët e tyre burra, burimet burra dominuan në të gjitha rastet, duke reflektuar një pabarazi të qëndrueshme në përfaqësimin e zërave në lajme.

Në emisionin politik RTK-Prime, për shkak të mungesës së episodeve të plota në arkivat online, analizës iu nënshtruan vetëm episodet e disponueshme publikisht (21, 26, 29 dhe 30 tetor), ndryshe nga datat e analizuara për Klan Kosovën dhe TV Dukagjinin. Në këto katër episode, të gjithë 10 të ftuarit ishin burra (100%), pa asnjë grua në panel.

Klan Kosova – Lajmet Qendrore & Rubikon

Në katër edicionet e lajmeve qendrore të Klan Kosovës u analizuan 40 storie, ku 34 prej tyre (85%) u realizuan nga gazetare gra. Megjithatë, nga 78 burime të përdorura, vetëm 24% ishin gra, ndërsa 76% burra. Pra, edhe pse gratë dominojnë në terren dhe në prodhimin e lajmit, zërat që dëgjohen mbeten kryesisht te burrave.

Në emisionin Rubikon, nga 22 të ftuar në katër episodet e tetorit, vetëm 2 ishin gra (9.1%). Dy episodet kishin panele tërësisht me burra (100%), ndërsa në dy të tjerat gratë përbënin vetëm një pjesë të vogël të panelit. 

TV Dukagjini – Lajmet Qendrore & Debat Plus

Në katër edicionet e lajmeve qendrore të TV Dukagjinit u analizuan 25 storie: 60% u realizuan nga gazetare gra dhe 40% nga gazetarë burra. Megjithatë, nga 39 burime të përdorura, vetëm 15% ishin gra, ndërsa 85% burra. Edhe në storiet e realizuara nga gazetare gra, burimet burra mbizotëronin.

Në emisionin Debat Plus, përfaqësimi i grave ishte minimal. Nga 20 pjesëmarrës në katër episodet e analizuara, vetëm 1 ishte grua (5%). Tre nga katër episodet kishin panele tërësisht me burra. Kjo e vendos përfaqësimin e grave në nivel pothuajse simbolik në debatet politike të këtij televizioni.

Debatet politike pa gratë: Diskursi, presioni dhe dezinformimi

Statistikat nga RTK, Klan Kosova dhe TV Dukagjini tregojnë një realitet të qartë: burrat dominojnë debatet politike, ndërsa gratë mbeten të nënpërfaqësuara ose krejtësisht të padukshme. Por përtej statistikave, kjo situatë ka një tjetër dimension, përvojën personale të grave që kanë qenë (janë) pjesë e këtyre debateve.

Analistja e politikave dhe hulumtuesja Donika Emini, e cila ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në debate prime-time, përshkruan ambientin e debateve televizive si thellësisht toksik dhe agresiv, veçanërisht ndaj grave. “Sfida më e madhe ka qenë vetë mjedisi i debateve televizive,” thotë ajo. 

Emini shprehet se arsyeja pse ka vendosur që të mos jetë më pjesë e këtyre debateve, lidhet me mungesën e përmbajtjes që kanë këto diskutime. Sipas saj, debatet janë “sipërfaqësore, shpesh me natyrë thashethemesh dhe me gjuhë denigruese… një mbledhje burrash të zhurmshëm që normalizojnë dhunën verbale dhe fizike, duke ngushtuar hapësirën për pjesëmarrjen e grave.”

Një sfidë tjetër që ajo e ka hasur sa ishte pjesë e debateve politike, lidhet me mungesën e grave të tjera në studio dhe në mënyrë që të marrësh fjalën, sipas saj, duhet të ndërhysh, një mënyrë që ajo shprehet e ka bërë që të ndihet jo mirë   

“Shpesh je gruaja e vetme përballë pesë ose gjashtë burrave që janë të mësuar me këtë format dhe dominojnë hapësirën në mënyrë të paskrupulltë. Dhe ky stil – në të cilin edhe unë kam kontribuar sepse ndryshe nuk bëhet – më ka bërë të ndihem jo-rehatshëm. Pra, çmimi emocional dhe mental mbetet i lartë për të marrë pjesë në një debat që nuk sjell asnjë vlerë të shtuar në jetën profesionale.”

Analistja politike Besa Luzha përmbledh shkakun kryesor të mungesës së grave: problem nuk është gatishmëria, por format e debatit. Ajo përshkruan debatet serioze si të rralla, ndërsa shumica dominohen nga konflikte personale dhe ton agresiv: “Shumica e paneleve politike dominohen nga logjika e konfliktit, jo e diskutimit.” Ajo thekson se, megjithëse formalizmi duket se jep hapësirë për gratë, realiteti është ndryshe: “Formalisht gratë kanë hapësirë, realisht jo. Ndërprerjet dhe nënvlerësimi janë të shpeshta, sidomos kur shprehin qëndrime kritike ose të pavarura.” 

Luzha vë re gjithashtu se publiku gjykon gratë më ashpër se burrat: “Gratë shpesh gjykohen më ashpër dhe më personalisht. Reagimet nuk fokusohen vetëm te çfarë thuhet, por te kush e thotë dhe si duket.” Për të, kjo tregon nevojën për ndërgjegjësim dhe ndryshim kulturor: “Kur ambienti është profesional dhe respektues, gratë janë të gatshme të kontribuojnë po aq sa burrat.”

Mexhide Demolli-Nimani, drejtore ekzekutive e Lëvizjes FOL, thekson se një nga arsyet kryesore lidhet me vetë klimën e debatit publik. “Fokusi shpesh zhvendoset nga politikat tek sulmet personale dhe gjuha nënçmuese. Në një ambient të tillë, shumë gra hezitojnë të ekspozohen, sepse rreziku për t’u shënjestruar është i lartë,” thotë ajo.

Sipas saj, justifikimi i zakonshëm i mediave se “gratë nuk pranojnë ftesat” apo se “nuk ka eksperte të gatshme” është vetëm pjesërisht i vërtetë. “Ky shpjegim shpesh shërben si mbulim për mungesën e përpjekjes reale nga redaksitë për të zgjeruar rrjetin e eksperteve dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për to,” thekson Demolli-Nimani.

Ajo shton se problemi është thellësisht strukturor. Redaksitë, shpesh të dominuara nga burra në pozita drejtuese, priren të ftojnë vazhdimisht të njëjtët emra (kryesisht burra) duke lënë jashtë gratë që nuk janë pjesë e rrjeteve të tyre të ngushta profesionale. “Nuk mungojnë gratë eksperte. Mungon vullneti për t’i kërkuar, për t’i ftuar për temat ‘e rënda’ dhe për t’i mbrojtur nga abuzimi publik,” thote ajo.

Albana Rrahmani, producente e emisionit Rubikon, tregon se lista e ekspertëve përfshin mbi 400 emra, më shumë se gjysma gra, por pjesëmarrja e tyre pengohet edhe nga mënyra se si fragmentet e debatit shpërndahen jashtë kontekstit. “Pjesë nga emisionet shpërndahen në rrjete sociale të shkëputura nga konteksti dhe përdoren nga individë apo grupe të caktuara me qëllim denigrimi” Ajo shprehet që kjo ndodh për të dy gjinitë, mirëpo sulmet online zakonisht kanë trajtë tjetër për gra, sepse ato sulmohen në nivel personal dhe moral. 

Në emisionin Context të ATV, producentja Albina Haliti shpjegon se debatet e dominuara nga burra dhe me tone të larta krijojnë pasiguri dhe hezitim te gratë: “Për fat të keq është e vërtetë që gratë hezitojnë të jenë pjesë e debateve politike, përfshirë edhe politikane. Kjo krijon pasiguri te mënyra se si të përballen me debate të tilla.” Sipas Halitit, roli i moderatorit është kyç për të garantuar një ambient të barabartë, ku gratë mund të ndihen të sigurta për të dhënë opinionin e tyre.

Në Debat Plus të TV Dukagjini, prezenca e grave është minimale. Ish producentja Anduena Bajqinofci tregon se arsyeja është komplekse dhe përfshin faktorë profesionalë, familjarë, logjistikë dhe psikologjikë, si dhe mungesën e përzgjedhjes nga subjektet politike: “Shpesh vetë subjektet politike nuk i përzgjedhin gratë për t’i dërguar në studio.”

Edhe perspektiva editoriale ka ndikim. Gazmend Syla, ish-drejtor i informacionit në Klan Kosova, shpjegon se dominimi i burimeve burra lidhet më shumë me realitetin praktik në terren dhe institucionet sesa me preferenca gjinore: nuk mund të kërkosh që një burim të jetë grua nëse zëdhënësi ose personi përgjegjës është burrë, ose nga familjet që vendosin kush flet; te burimet institucionale, gratë janë më pak të përfshira në vendimmarrje, andaj probabiliteti që të jenë burime është më i vogël. 

Ai thekson se vendimet redaksionale fokusohen mbi besueshmërinë dhe qasjen e burimeve, jo gjininë, dhe shton se gratë dominojnë raportimin në terren dhe moderimin e lajmeve në Klan. Për pjesëmarrjen e grave, Syla thotë se rekomandohet që gazetaret të japin përparësi zërave të grave kur është e mundur, por pa rregulla të prerë: “Udhëzim e as politikë të brendshme për këtë çështje nuk ka… por duke mos insistuar ‘ose gra, ose hiq’.”

Mungesa e grave është e dukshme edhe në RTK-Prime. Fitore Rexhepi, autore dhe moderatore, pranon se përfaqësimi gjinor nuk përputhet me standardet demokratike. Ajo thekson se dhuna dhe dezinformimi online janë faktorë kryesorë që pengojnë gratë të marrin pjesë: “Komentet ofenduese dhe sulmet personale kanë dekurajuar shumë gra të mos shfaqen më në ekran.”

Ky realitet tregon se mungesa e grave në debate nuk është rastësore. Ajo pasqyron një problem më të gjerë kulturor, editorial dhe social, ku zërat e burrave dominojnë, format e konflikteve dhe agresivitetit e përjashtojnë prezencën e grave, dhe sulmet online intensifikojnë presionin mbi to.

_________________________________________

Ky material është realizuar në kuadër të projektit Integriteti i Mediave dhe Gjurmimi i Dezinformimit (MIDWatch), i cili po implementohet nga BIRN Kosova, Internews Kosova dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. Projekti mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar. Pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe organizatave implementuese.