Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Nga banka e shkollës në punë pa kontratë

Erza Elezaj 17.3.2026

Vajzat e reja që hyjnë për herë të parë në tregun e punës përballen me punë pa kontratë, orë të papaguara, presion psikologjik dhe ngacmime nga klientët, ndërsa institucionet që duhet t’i mbrojnë mbeten kryesisht në heshtje, duke lënë hapësirë për normalizimin e shfrytëzimit në sektorin privat.

Pas mbarimit të mësimit në gjimnaz, rrugën drejt objektit ku punonte, e bënte me vrap për të arritur në kohë. Nxënësja 17-vjeçare E.B nga komuna e Pejës, pak muaj më parë, pas shkollës kishte nisur punën në një dyqan tekstili si shitëse.

Përvoja e saj e parë si punëtore, ende e mitur në moshë, nisi në një mënyrë të cilën ajo e quan të çuditshme e pa kurrfarë komunikimi adekuat.

“Punën si shitëse e kam gjetë shumë pa plan, shoqja ime e ngushtë ka qenë duke punuar aty dhe shumë rastësisht më tha a po vjen provoje punën dhe unë kam shkuar menjëherë. Ditën e parë nuk ka pasë nevojë as me u prezantu, veç më kanë thënë leje çantën e nisja, pas tri ditësh u punësova, vetëm ma treguan pagën, as kontratë e as diçka tjetër”, shprehet ajo.

Entuziazmi i saj për punë, dalë nga dalë u shua, kur ajo u përball me një realitet të cilin nuk e kishte pritur.

Tashmë si 18-vjeçare, ajo thotë se ajo dhe shoqet e saj ishin shfrytëzuar nga biznesi privat ku kishin punuar.

“Ne në 2 e gjysmë kemi pasë me fillu, ky ka qenë orari për shkak të shkollës, po ndonjëherë kanë kërku me shku në punë edhe më herët. Nëse ne nuk kemi shku, atëherë ditën tjetër kishim dënim të qëndronim gjysmë ore më shumë, ata kanë dashtë që për fitim të tyre të na shfrytëzojnë”, thotë 18 vjeçarja.

Por ky fakt, sipas saj, nuk ishte i vetmi që e detyroi të dorëhiqet nga puna pas një muaji e gjysmë.

Një arsye më e fortë, që e kishte zhgënjyer atë, ishte që nga ajo kërkohej të kishte një sjellje të caktuar me klientët që vinin për të blerë.

“Më ka ndodh që kanë ardhë djem të rinj aty, më kanë ngacmuar dhe kam shku për ndihmë te menaxheri, ia kam treguar ngjarjen dhe kam kërkuar të mos merrem unë me këta persona. Fjalët e tij ishin: shko qeshju se kështu pastaj ata blejnë diçka. Ngacmimet nuk i kanë trajtuar me seriozitet, disa herë kam kërkuar ndihmë. Thjeshtë më thonin me ju folë me një mënyrë tërheqëse,” shton ajo.

Deri në atë kohë, ajo thotë që nuk e kishte menduar se pamja dhe veshja e saj do të kishin rëndësi në punë, por kishte vërejtur një rregull të pashkruar, ku pritej një veshje më ekspozuese.

“Nuk e kam menduar pjesën e pamjes në fillim, por atyre pasi që ju është dukë në rregull me më kërku një lloj sjellje për myshteritë, mendoj që ka ndikuar pamja. Vajzat që kanë punuar aty, kanë pasë një veshje specifike që ka qenë ekspozuese dhe disi ka qenë si me i motivu ato me u veshë ashtu,” shton ajo.

Për të, orët shtesë e të papaguara në punë, ishin një e vërtetë e hidhur megjithatë e normalizuar. Njësoj edhe fakti që paga u jepej në dorë teksa po punonin pa ndonjë kontratë pune.

“Pos mungesës së kontratës, ne e kishim të ndaluar të uleshim, pasi na përcjellnin në kamera, as pauzë nuk kishte, vetëm ngrënia e ushqimit shpejt e shpejt, ishte një ambient me shumë presion psikologjik,” shprehet ajo.

Në po të njëjtin qytet, por në një dyqan tjetër, punonte si shitëse Leonita Zekaj. Edhe ajo, para se të mbushte 18 vjet, e dinte se çka është puna pa orar.

“Orarin e kemi pasë 8 orë në ditë dhe ka shumë raste ku kemi punuar pas orarit, por që nuk është se është marrë parasysh. Orët shtesë nuk janë paguar asnjëherë, por pagën e merrnim me rregull dhe me para në dorë.”

Edhe në punën e saj, nuk ishte e lejuar që ajo të ulej e të pushonte, pavarësisht se ishte duke punuar tërë ditën.

“Pauzat zakonisht zgjasnin 15-20 min dhe mundësia që me u ulë s’ishte, nuk është se na kanë ndaluar, por nuk pritej asnjëherë mirë nga ana e tyre,” thotë 18-vjeçarja.

Edhe Zekaj, pohon se është ndjerë disa herë e ngacmuar nga klientët, ndërkaq e injoruar nga menaxhmenti.

Objektivizimi si normë e heshtur në vendin e punës

Nga një perspektivë feministe, pritshmëritë për pamjen fizike dhe paraqitjen e grave në vendin e punës nuk përbëjnë thjesht preferenca estetike, por mekanizma strukturorë që riprodhojnë pabarazi gjinore dhe objektivizim.

Teoritë feministe theksojnë se, kur gratë vlerësohen mbi bazën e pamjes së tyre apo seksualizimit, kompetenca profesionale zhvendoset në plan të dytë. Kjo i vendos ato në një pozitë më të pasigurt përballë punëdhënësve dhe klientëve, duke e kushtëzuar vlerësimin e tyre profesional me standarde që nuk aplikohen njësoj për burrat.

Në sektorët e shërbimeve dhe shitjes me pakicë, këto pritshmëri shpesh institucionalizohen përmes kodeve të pashkruara të veshjes dhe sjelljes, duke forcuar objektivizimin dhe duke kontribuar në normalizimin e diskriminimit me bazë gjinore në tregun e punës.

Siç argumenton Laura Mulvey me teorinë e “Male Gaze’, dhe Andrea Dworkin në analizën e saj të shfrytëzimit ekonomik dhe seksual, presioni mbi pamjen dhe sjelljen e vajzave në punë nuk është aksidental, por ai reflekton struktura patriarkale që i objektivizojnë gratë për përfitim ekonomik dhe ruajtje të hierarkive gjinore.

Nga organizata feministe “Rrjeti i Grave”, thonë se kanë evidentuar raste ku ka pasur pritshmëri gjinore dhe role stereotipike të cilat ndikojnë në trajtimin e grave në punë.

“Kjo krijon një terren ku pamja fizike dhe prezantimi vizual bëhen kritere joformale, por të fuqishme, për punësim dhe trajtim,” thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga hulumtimi “Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Kosovë”, kjo organizatë ndanë historinë e një vajze e cila u largua nga puna pasi iu kërkua të mos vishej “seksi”.

“Kisha veshur një fustan që ishte poshtë gjunjëve, me jakë të ngritur me mëngë të gjata sipas kodit të veshjes, kur drejtori tha se nuk mund të vishem në atë mënyrë sepse është ‘shumë seksi’ dhe vazhdoi të bënte gjeste që i ngjanin një figurë femërore. Pas një muaji më pushoi pa asnjë arsye. Unë jam ankuar në Inspektoratin e Punës, por nuk kam marrë përgjigje prej tyre, aq më pak që e kanë zgjidhur. Kam qenë e papunë për tetë muaj pas këtij incidenti.”

Të drejtat shkelen, institucionet heshtin

Historitë e E.B dhe Leonitës nuk janë të vetmet raste në Kosovë kur vajzat punojnë si të mitura.

Sipas Ligjit të Punës në Kosovë, parashihet të ketë mbrojtje të veçantë për punëtorët nën moshën 18-vjeçare si dhe vëmendje të caktuar nga Inspektorati i Punës.

Madje nuk lejohet puna pa kontratë dhe pa e regjistruar të punësuarin në Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe është paracaktuar që të miturit të kenë më pak se 30 orë punë në javë.

Por se ligji nuk zbatohet e se ka thyerje shkelje e diskriminim, e thotë edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.

 “Format më të shpeshta të shkeljeve dhe diskriminimit të vajzave të reja janë: Punësimi pa kontratë, mospagesa ose pagesa e parregullt e orëve shtesë të punës, paga të ulëta dhe pabarazi në pagesë për punë të njëjtë, ngacmimi seksual dhe forma të tjera të diskriminimit me bazë gjinore e disa të tjera”, thuhet nw pwrgjigjen e tyre me shkrim.

 Nga Rrjeti i Grave cilësojnë se ka boshllëqe serioze në zbatimin e ndjeshëm gjinor të ligjit, sidomos në sektorin privat dhe ekonominë informale, ku sipas tyre inspektimi dhe mbikëqyrja janë të dobëta.

“Reagimi institucional mbetet i dobët, me zbatim jo të qëndrueshëm të ligjeve ekzistuese nga institucionet publike. Përfaqësues të policisë dhe prokurorisë kanë raportuar pak ose aspak raste të diskriminimit gjinor, çka sugjeron nën-raportim, mungesë njohjeje të rasteve si diskriminim me bazë gjinore,” thonë nga kjo organizatë.

Edhe organizata UN Women Kosovo përmes studimit të tyre në vitin 2023,“Siguria dhe Shëndeti në Punë: Një studim i rasteve të ngacmimeve seksuale në vendin e punës në Kosovë në sektorin publik dhe privat”, konfirmon pasigurinë e grave në vendin e punës.

Matjet e raportit tregojnë se më shumë së 70% e grave në Kosovë besojnë se ngacmimi seksual është i pranishëm në vendet e punës. Në të shumtën e rasteve, ngacmimet u raportuan të jenë nga menaxherët (22%) dhe klientët (45%).

Për të kuptuar nëse ka inspektime sa i përket punësimit të vajzave të mitura në Kosovë dhe nëse ka pasur ndëshkime për ndonjë biznes, janë dërguar pyetje në adresën e Inspektoratit të Kosovës në fund të muajit janar. Megjithatë, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, nga Policia e Kosovës thonë se nuk kanë të dhëna të detajuara mbi këtë çështje, por se tregojnë se gjatë vitit 2025 ka pasur vetëm një rast të raportuar të “Cenimit të të drejtave të punësimit dhe papunësisë”.

Për këtë temë, nuk janë përgjigjur as nga Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve.

Se ka mungesë njohurish për të adresuar diskriminimin me bazë gjinore në vendin e punës në Kosovë shihet edhe në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025.

Aty po ashtu thuhet se në fushën e mosdiskriminimit në punësim dhe politikave sociale, Kosova duhet të përafrohet më tej me acquis të BE-së, veçanërisht me Direktivën për Barazi në Punësim, për të garantuar mbrojtje më efektive dhe zbatim real të të drejtave të grave dhe vajzave në tregun e punës.

______________________________________________________________________________________________________________

Ky artikull është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Holandës përmes projektit “Fuqizimi i Grave në Treg të Punës”, i cili zbatohet nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe QIKA. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Ambasadës së Holandës.