Nga ideja se është “profesion për gra” deri te realiteti i një pune që kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm, mësuesia në Kosovë vazhdon të shihet përmes roleve tradicionale gjinore. Të dhëna tregojnë se përfaqësimi i lartë i grave në këtë profesion nuk është rastësi, por rezultat i pritshmërive shoqërore që e lidhin kujdesin dhe edukimin me rolin tradicional të grave.
Nëna ime është mësuese e ciklit të ulët. Gjatë rritjes pothuajse të gjithë më thoshin se një ditë edhe unë duhet të bëhesha mësuese, si ajo. Arsyeja që përsëritej vazhdimisht ishte e njëjtë: “Është profesion për gra, ke kohë për shtëpi dhe për fëmijë.”
Kjo fjali më ka mbetur në mendje. Mësuesia nuk paraqitej si profesion me mision, me ndikim në shoqëri apo me ambicie profesionale. Paraqitej si zgjedhje e përshtatshme për një grua, sepse i lejonte të përmbushte rolin e saj në familje. Ideja që një profesion të justifikohej me kohën që lë për punët e shtëpisë dhe jo me vlerën apo aspiratat personale, mua nuk më tërhoqi kurrë. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, nuk e kam parë veten asnjëherë si mësuese. Por mbi të gjitha, duke e parë nga afër sa e vështirë është të jesh mësuese. Sa orë përgatitje duhen pas atyre orëve “formale” në punë. Sa e vështirë është t’ua mësosh A, B, C-në fëmijëve gjashtëvjeçarë. Sa shumë durim kërkon të përsërisësh të njëjtën gjë dhjetëra herë, derisa dikush ta kuptojë. Sa përgjegjësi është të kesh përballë fëmijë që janë në hapat e parë të dijes.
Megjithatë pavarësisht kësaj pune të padukshme dhe këtij përkushtimi të jashtëzakonshëm, mësuesia vazhdon të shihet si profesion “i lehtë” dhe i përshtatshëm për gra. Pikërisht sepse lidhet me fëmijët, me kujdesin dhe me durimin, cilësi që shoqëria tradicionalisht ia atribuon grave. Me kalimin e viteve, ky perceptim e ka shndërruar mësuesinë në një nga profesionet edominuara nga gratë në Kosovë.
Sipas të dhënave nga QIKA, për vitin 2023–2024, ndarja gjinore në arsim është veçanërisht e theksuar në nivelet e ulëta. Në nivelin parashkollor janë gjithsej 765 mësimdhënëse gra dhe vetëm 4 burra, një disproporcion pothuajse absolut. Edhe në nivelin parafillor, fillor dhe të mesëm të ulët, gratë dominojnë dukshëm me 11 mijë e 370 mësimdhënëse, krahasuar me 5 mijë e 628 burra. Ky raport fillon të balancohet në arsimin e mesëm të lartë, ku numri i mësimdhënësve bëhet pothuajse i barabartë: 30 mijë e 430 burra dhe 30 mijë e 407 gra.
Këto shifra tregojnë qartë një model vertikal gjinor: sa më i lartë niveli i arsimit, aq më shumë rritet prania e burrave, ndërsa në nivelet e hershme, që lidhen më shumë me kujdesin dhe formimin bazë, mbizotërojnë gratë.
Ky model nuk është i izoluar. Ai pasqyron një tendencë që vërehet edhe përtej kufijve të Kosovës. Sipas të dhënave nga UNESCO më arsimin fillor, gratë përbëjnë një shumicë të madhe të mësuesve (rreth 68% globalisht) ndërsa në nivelet më të larta numri i grave bie. Përjashtim nuk bëjnë as vendet e zhvilluara. Sipas të dhënave nga vendet e OECD-së 82% e mësuesve në arsimin fillor janë gra, por kjo shifër bie në nivelet e mesme dhe prania e grave është shumë më e ultë në arsimin e lartë.
Megjithatë, brenda këtyre shifrave ekzistojnë njerëz që “janë përjashtim nga rregulli”. Perparim Blakaj, mësues në ciklin fillor në shkollën private “Akademia ORA”, është një shembull i qartë. Ai nuk e kishte planifikuar të bëhej mësues, por vendimi erdhi spontanisht. Fillimisht synonte të bëhej profesor i gjuhës angleze ose i një drejtimi shoqëror, por rrethanat e orientuan drejt ciklit fillor. “Nuk jam penduar”, shton, duke e lidhur zgjedhjen me bindjen e tij se “formimi i njeriut nuk fillon në universitet, por në vitet e para të shkollimit. Aty ndërtohet karakteri, disiplina dhe raporti i plotë me dijen”.
Zgjedhja për të punuar me fëmijë të vegjël ka nxitur edhe reagime. Pyetja që i ka mbetur më së shumti në mendje është: “Pse bash me ciklin fillor?”. Sipas tij, kjo pyetje flet më shumë për paragjykimet shoqërore sesa për vetë profesionin. Në një realitet ku shumica e mësimdhënësve në ciklin e ulët janë gra, ai thotë se e sheh profesionin si përgjegjësi dhe jo si pengesë. “Prania ime nuk është për të balancuar ndonjë statistikë, por për të sjellë një dimension tjetër profesional”, thekson ai.
Blakaj pranon se ka hasur reagime të rezervuara nga prindërit për faktin që është mësues burrë, por thekson se ato zbehen shpejt kur prindërit shohin përkushtim dhe rezultate. Ai vëren edhe dallime në perceptim: “Burrat shpesh lidhen me autoritetin, gratë me kujdesin e shtuar. Ky është një stereotip që nuk reflekton gjithmonë realitetin pedagogjik.” Sipas tij, autoriteti dhe empatia nuk janë çështje gjinie, por kompetence.
Sa i përket mungesës së burrave në ciklin e ulët, ai mendon se arsyeja lidhet edhe me pagën. Për të, mësuesia në këtë nivel nuk është zgjedhje për rehati. “Arsimi fillor kërkon energji të vazhdueshme, përgatitje emocionale dhe përkushtim të plotë”, nënvizon ai, duke përfunduar se profesioni duhet parë si mision serioz, jo si komoditet.
Melisa Dobordoli, mësuese e ciklit të ulët në shkollën “Dardania” në Prishtinë, me shtatë vite përvojë pune, e ka zgjedhur këtë profesion si ëndërr të hershme. “Qysh në vegjëli ëndërroja të bëhem mësuese dhe kur erdhi momenti nuk e mendova dy herë,” thotë ajo. Dobordoli nuk ka pasur një plan të dytë dhe asnjëherë nuk e ka menduar veten në një profesion tjetër.
Edhe pse shpesh mësuesia perceptohet si punë me orar të shkurtër, Melisa e sfidon këtë ide. Sipas saj, puna ndahet mes klasës dhe shtëpisë. Përgatitja e orëve, planifikimet ditore, fletët e punës dhe aktivitetet për nxënësit vazhdojnë edhe pas përfundimit të orarit zyrtar. “Është një perceptim nga jashtë që punojmë vetëm katër ose pesë orë në ditë. Realisht është e kundërta,” thekson ajo.
Përtej mësimdhënies, roli i saj shtrihet shumë më gjerë. “Fëmijët në klasë janë si një familje e dytë,” thotë Melisa. Çdo ditë dëgjon hallet, frikat, shqetësimet dhe historitë e tyre.
Megjithatë sipas saj, perceptimi shoqëror për profesionin mbetet problematik. “Shihet si një profesion që mund ta bëjë kushdo dhe që është i lehtë për t’u menaxhuar,” thotë ajo. Por realiteti, sipas saj, është ndryshe: jo kushdo mund ta ushtrojë këtë profesion.
Ajo pranon se shoqëria kosovare vazhdon ta shohë mësuesinë si “profesion për gra”. Prania e burrave në ciklin e ulët shpesh shoqërohet me habi dhe rezerva. Edhe pse ajo ka kolegë burra dhe bashkëpunimi është i mirë, stereotipet vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si perceptohet profesioni.
Sociologia Lirika Demiri thekson se për të kuptuar pozitën e mësuesisë sot, duhet ta shohim atë në kontekst historik. Sipas saj, figura e mësuesit në arsimin shqip në Kosovë, sidomos nga periudha pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë për dekada figurë me autoritet dhe respekt të lartë shoqëror, për shkak të kontekstit politik dhe socio-ekonomik të shqiptarëve në Kosovë. Edhe gratë mësuese, ndonëse më të pakta në numër, gëzonin respekt të konsiderueshëm.
Megjithatë, pas luftës së fundit dhe ndryshimeve të thella politike e ekonomike, fusha e arsimit ka pësuar transformime të vazhdueshme. “Autoritetet tradicionale shoqërore, si ai i mësuesit/es, nuk e kanë më statusin e mëhershëm”, vlerëson Demiri.
Ajo argumenton se pikërisht në këtë periudhë të pasluftës mund të flitet për një feminizim të profesionit të mësuesisë, një përfshirje shumë më e madhe e grave në këtë fushë, e shoqëruar paralelisht me devaluim shoqëror dhe ekonomik të profesionit. Sipas saj, ky është një trend që është vërejtur edhe në Evropën Perëndimore në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.
“Në kontekst të feminizimit, profesioni i mësueses shihet si zgjatim i konstruktimit esencialist të grave si përkujdesëse në familje dhe shoqëri”, shpjegon ajo. Gratë, shton Demiri, trajtohen si forcë punëtore e lehtë për t’u rekrutuar në profesione që perceptohen si përkujdesëse dhe si vazhdim i natyrshëm i rolit tradicional të tyre si mësuese, infermiere apo punëtore sociale.
Sipas saj, në një kontekst neoliberal patriarkal, profesionet që nuk sfidojnë rendin strukturor ekonomik dhe gjinor janë më të qasshme dhe më të pranueshme për gratë. Kjo reflektohet edhe në arsyet që shpesh përmenden për zgjedhjen e mësuesisë: orari dhe pushimet, që lidhen drejtpërdrejt me organizimin gjinor të familjes.
_____________________________________________________________________________________________________________
Ky artikull është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Holandës përmes projektit “Fuqizimi i Grave në Treg të Punës”, i cili zbatohet nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe QIKA. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e autorëve dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Ambasadës së Holandës.