Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Riprodhimi i seksizmit përmes gjuhës

Gjuha seksiste dhe stereotipet gjinore janë tejet të përhapura në shoqërinë tonë. Në mirëmbajtjen dhe riprodhimin e gjuhës së tillë po kontribuon jashtëzakonisht shumë edhe media. Kohëve të fundit janë problematizuar edhe shumë tekste të këngëve të cilat kanë përmbajte përjashtuese e denigruese ndaj grave. Këto mesazhe diskriminuese gjinore po fuqizojnë stereotipet dhe rolet gjinore edhe ashtu të thelluara në shoqëri.

Edhe pse sipas Ligjit nr. 04/L-44 të Komisionit të pavarur për media në nenin 27 ndër të tjerash thuhet se në komunikimet audiovizuele komerciale nuk mund të lejohet diskriminimi në baza gjinore, shpesh në tekstet muzikore të klipeve muzikore të cilat transmetohen na ndodh të ndëgjojmë gjuhë seksiste ndaj grave.

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) ka filluar një fushatë ku do t’i trajnojnë mediat për një raportim më të ndjeshëm gjinor dhe se si të kujdesen që edhe perspektiva gjinore të jetë e përfshirë në përmbajtjen mediatike. Përpos kësaj, kjo qendër së bashku me disa organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile kanë lansuar edhe “Iniciativën kundër seksizmit në shoëbiz dhe media” e cila ka qëllim luftimin e gjuhës dhe praktikave seksiste që servohen në mediat dhe përmbajtjet artistike vendore.

Liridona Sijarina nga QKSGj thotë se kjo iniciativë ka ardhur për shkak se komunikimi përmes këtyre këngëve është seksist dhe diskriminues për gratë.

“Ne e kemi nisur këtë fushatë për luftimin e seksizmit në këngë duke reaguar për Shkurte Fejzën dhe arsyeja pse kemi reaguar për të është se është një figurë e çmueshme e cila ‘hyn’ brenda në familje përmes zhanrit të cilin ajo e këndon. Debati që është nxitur pas reagimit tonë i ka tejkaluar të gjitha pritshmëritë që i kemi pasur dhe kjo për neve ka qenë më e rëndësishmja sepse kemi arritë me theksu faktin se dhuna që është e normalizuar në shoqninë tonë vjen pikërisht prej asaj gjuhe me të cilën ne komunikojmë, qoftë në letërsi, qoftë në art, qoftë në fusha tjera dhe se është gjuhë e dhunshme”, thotë Sijarina.

Ajo shton se me qëllim të ngritjes së vetëdijes lidhur me këtë çështje janë duke analizuar se si media po ndikon dhe po i riprodhon disa stereotipe gjinore tek publiku.

Liridona Sijarina

“Arsyeja se pse jemi fokusuar më shumë në media është sepse e kemi pa qe ndikimi i medias është rritur shumë gjatë kohës së kësaj pandemie dhe neve kjo na ka frikësuar shumë për shkak se kjo veç ka shkuar në degradim të cilësisë duke e ditur që pak a shumë mediat në Kosovë, secilën që e pyet, deklarojnë se ne publikojnë çka dëshiron publiku dhe çka dëshiron publiku është regresive dhe ndonjëherë edhe e dëmshme për gratë’’, shpjegon Sijarina. Sipas saj artistat nuk janë problemi, ata janë simptoma dhe thjesht një shpërfaqje e këtij problemi që ekziston në secilën strukturë si në media ashtu edhe në fusha të tjera.

Vjollca Robelli Mripa artiste e njohur shqiptare, gjithashtu vlerëson se objektifikimi i grave në tekste dhe në videoklipe muzikore është në nivel shqetësues.

“Shfaqja e kësaj dukurie pas luftës është shqetësim sidomos për faktin se gjeneratat e reja janë aq shumë të ekspozuara në këtë trend të muzikës ku gjuha është vulgare ndaj gruas, ku vajzat përdoren në videoklipe si objekt tërheqjeje, përulen me fjalë të rënda nga këngëtarët e gjinisë mashkullore dhe banalizohen pa asnjë konsideratë. Dua të përmendi gjithashtu faktin që kjo vlen edhe për disa këngëtare të cilat po bëjnë të njëjtën gjë, ato po degradojnë totalisht modelin e vajzës me tekstet dhe paraqitjet e tyre. Duhet të fokusohemi në të dyja anët nëse duam të shohim se ku është problemi për shkak se dy gjinitë janë duke kontribuar thuajse me të njëjtin intensitet në këtë dukuri negative’’, thotë Robelli Mripa.

Sipas saj ky fenomen gjithashtu drejton qëndrimet dhe sjelljet e djemve ndaj vajzave. “Duhet të kuptojmë që kjo dukuri mund të ketë dëme potenciale dhe efekte negative kundrejt vajzave. Shembull i njëmendtë janë dëgjuesit e muzikës hip hop dhe rap në përgjithësi. Këta të rinj identifikohen me muzikën të cilën e dëgjojnë. Dua të them që ekziston një lidhje e fortë midis muzikës dhe formimit të identitetit posaçërisht tek të rinjtë, një identitet i krijuar në këtë formë është i fuqishëm dhe mund të ketë pasoja në të ardhmen.’’, thotë Robelli Mripa.

Një ndër këngët e cila vlerësohet se ka përcjellur një mesazh tejet pozitiv tek publiku ka qenë kënga ‘Ajo’ e Vjollcës. Kjo këngë është edhe shembull se si një tekst, projekt muzikor mund të kuptohet, dëgjohet nga vesh të ndryshëm dhe të përçoj porosi të ndryshme, por që janë pozitive. Kënga ‘AJO’ është nisur si projekt kundër AIDS-it, por nuk mund ta mohojmë se kënga si e tillë, teksti ka qenë inspirues për shumë feminist.

Vjollca Robelli Mripa

“Më gëzon fakti që kjo këngë u shndërrua në simbol frymëzimi për vajzat e reja në bashkimin dhe përkrahjen e njëra tjetrës. Mendoj se është e rëndësishme që vajzat e reja të krijojnë opinionet e tyre që në moshë të hershme; të zhvillojnë mendimin kritik, të kenë qëndrimet e tyre rreth jetës, karrierës, familjes, djemve, të kenë vetëbesim të përballen me ata të cilët mundohen t’i vënë ato në pozita të pa lakmueshme dhe të lexojnë shumë. Tani më shumë se kurrë është e nevojshme të edukojmë vajzat tona sepse ato janë shtylla e një shoqërisë”, deklaron Robelli.

Sipas psikologes Kaltrina Kelmendi objektifikimi i grave në tekstet dhe videoklipet muzikore ndikon tek publiku në forma të ndryshme.

‘’Mendoj që objektifikimi seksual është shumë i pranishëm në mediat tona, në tekstet e këngëve por edhe në reklama të ndryshme, duke përforcuar stereotipet gjinore, justifkuar dhunën edhe duke ndikuar negativisht për shëndetin mendor edhe fizik të shumë të rinjve. Imazhet që promovohen në media sociale por edhe në platforma të tjera promovojnë një imazh jo – real apo të rrejshëm, i cili nuk ekziston në jetën e përditshme por fatkeqësisht synohet prej shumë të rinjve. Shumë të dhëna nga studimi i udhëhequr nga Task Forca e Shoqatës Amerikane të Psikologëve tregojnë se një formë e tillë e seksualizimit ka ndikim negativ në shumë aspekte të funksionimit përfshirë aspektin kognitiv, fizik, mental por edhe zhvillimin e shëndosh seksual. Në aspektin kognitiv, një objektifikim i tillë seksual i tillë ndikon në vetë-besimin dhe rehatinë që të rinjtë  kanë me trupin e  tyre duke dërguar në probleme emocionale në lidhje me imazhin që kemi për veten”, thotë Kelmendi.

Sipas saj është shumë e rëndësishme të punohet në drejtim të edukimit medial në mënyrë që të ngritët vetëdija dhe mendimi kritik i të rinjve për përmbajtjen mediatike.

Kaltrina Kelmendi

‘’Për shkak se opinioni publik përdorë median si platformë të informimit edhe edukimit, indirekt përmbajtjet e tilla i kontribuojnë promovimit të roleve gjinore tradicionale, promovimit të raporteve të pa barabarta, justifikimit të dhunës dhe formave të tjera të abuzimit, por edhe kultivimit dhe mbajtjes së këtyre normave. Prandaj, edukimi për media si lënde e veçantë do të ndihmonte jo vetëm në zhvillimin e mendimit kritik, por edhe parandalimin e shumë dukurive të tjera si  që ndërlidhen me cyber- bulling (ngacmimin kibernetik), sexting (shkëmbimin materialeve seksuale si foto, video- me qëllim të fyerje, abuzimi), cyber – stalking (përgjimin kibernetik)”, shpjegon Kelmendi.

Stereotipet gjinore që përcillen përmes përmbajtjeve mediatike nuk duhet t’i marrim si të mirëqena dhe të lejojmë që të riprodhojnë diskursin seksist ndaj vajzave dhe grave. Media dhe arti kanë potencial dhe do të duhej të jenë aleat të fuqishëm në promovimin e një barazie shoqërore dhe emancipimi të përgjithshëm.

Ky artikull është shkruar për platformën QIKA, megjithatë pikëpamjet e autoreve nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e QIKA