Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Roli jetik i pushimit menstrual në shëndetin e grave dhe adresimin e stigmës

Eriona Hoti 25.8.2023

Në diskutimin për të drejtat e grave në vendet e punës, pushimi menstrual është duke u trajtuar si një hap i rëndësishëm drejt barazisë gjinore në vendet e punës. Kjo praktikë, tashmë e rregulluar në disa vende të botës, pranon ndryshimet fiziologjike me të cilat përballen gratë çdo muaj dhe synon të çmontojë stigmën mbizotëruese rreth menstruacioneve. Në Kosovë stigma menstruale është mjaft prezente, megjithatë aktivistet kanë hapur diskutimin për nevojën e pushimit menstrual.

Kur flasim për shëndetin, është parësore të nënvizojmë rolin e rëndësishëm që luan në jetët tona. Rëndësia e të qenurit në gjendje të mirë shëndetësore sidomos kur jemi të obliguar të marrim pjesë në aktivitete pune, është jetike. Megjithatë, a e marrin punëdhënësit këtë në konsideratë kur vjen puna te vajzat dhe gratë gjatë periudhës së ciklit menstrual? A konsiderohen simptomat menstruale si arsye e mjaftueshme që një grua të kërkoj pushim nga puna? Pse stigma menstruale po dëmton mirëqenien e grave dhe po krijon pabarazi në vendet e punës? Këto janë disa nga pikëpyetjet që kërkojnë trajtim kur flasim për këtë çështje.

Dita e parë e ciklit është me dhimbje shumë të mëdha, aq shumë kam dhimbje sa nganjëherë nuk mundem me shku as në banjo pa ndihmën e dikujt”, tregon Gresa Dashevci, psikologe me profesion, e cila këtë proces biologjik e perjeton shumë rëndë.

Fatkeqësisht, Gresa në punën e saj nuk mund të marrë pushim, përveç nëse ndonjëherë ka mirëkuptim nga punëdhënësi për gjendjen e saj. Gresës nuk i del në ndihmë as shteti, pasi që me ligj në vendin tonë nuk parashihet të ketë pushim menstrual.

Cikli riprodhues luan rol të rëndsishëm në shëndetin fizik dhe mendor të grave. Natyra Agani, psikologe, sqaron ndikimin e kësaj periudhe mujore në shëndetin mendor të grave dhe vë theksin tek mbështetja që ato duhet ta kenë gjatë kësaj kohe.

Cikli menstrual duhet të kuptohet si një proces normal biologjik për gratë. Kjo gjendje reflekton një gjendje të ndryshueshme me bazë hormonale e cila manifestohet me një spektër të ndryshimeve kryesisht emocionale. Prandaj, duhet të ketë interesim e përkrahje nga punëdhënësit për shëndetin mendor e emocional të punëtoreve.”, thotë ajo.

Agani tutje afirmon të drejtën për pushim menstrual për gratë. Ajo thotë që duhet të ketë pushim, duke marrë parasysh faktin që procesi menstrual karakterizohet me simptoma biologjike dhe psikologjike.

“Dita e lirë nga puna do të normalizonte këtë gjendje krejt normale, dhe do të reduktonte stigmën për vajzat dhe gratë”, thotë Agani.

Në anën tjetër, Fiona Haxhikadrija ndoshta është më me fat. Ajo punon si koordinatore e projekteve tek SIT (Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime), organizatë kjo e cila e ka rregulloren për pushimin menstrual. Sipas saj, organizatat të cilat kanë politika të tilla të brendshme, dhe të cilat respektojnë nevojat e individëve, krijojnë hapësirë për punëtorët për një ambient më fleksibil dhe të rehatshëm të punës.

Pushimi menstrual mund ta largojë presionin që një individ mund ta ndjej për të punuar në rastet kur është duke përjetuar dhimbje ose simptoma tjera shkaku i menstruacioneve”, thotë Fiona.

Për më shumë, thotë Fiona, një prej përfitimeve të tjera të të pasusit një pushim të tillë është që kjo mund të shpiej drejt normalizimit të diskutimeve të tilla në shoqërinë tonë.

Organizata e ka inkuadruar në politikat e saj pushimin menstrual që nga viti 2019. Ky pushim përfshin lirim nga puna për një ditë në muaj. Pushimi menstrual përdoret në mirëbesim dhe nuk ka nevojë për ndonjë vërtetim prej mjekut.

Për Gresën dhe Fionën nuk është zgjidhje nëse do të kenë apo jo dhimbje gjatë menstruacioneve.

Fiona mund të marrë pushim, ndërsa Gresa duhet të duroj dhimbjet, ani pse mjeku i kishte rekomanduar jo vetëm një por dy ditë pushim. Ajo për më tepër nuk merr as medikamente.

Pasi që mjeku e ka pa gjendjen time shëndetësore më ka rekomanduar pushim dy ditë gjatë ciklit edhe pse ditën e dytë vetëm fillon pak zbehja e dhimbjeve, thotë Gresa.

Dismenorrea, termi mjekësor për dhimbjen gjatë menstruacioneve, mund të jetë shumë e rëndë, aq sa të ndërhyj në aktivitetet e përditshme deri në 20 përqind të grave. Merita Demiri Demolli gjinekologe me profesion thotë se dhimbja menstruale zakonisht fillon me gjakderdhjen menstruale, edhe pse disa gra kanë dhimbje disa ditë para fillimit të menstruacioneve. Këto dhimbje shoqërohen me ngërçe të rënda, të përziera, marramendje dhe të vjella.

“Dhimbja zakonisht zgjat 48 deri në 72 orë, megjithëse mund të zgjasë edhe më shumë”, thotë  ajo.

Ndër të tjerash, cikli menstrual ngërthen edhe problematika tjera shëndetësore si çrregullimi disforik premenstrual (PMDD) dhe sindroma premenstruale (PMS).

Si në PMDD ashtu edhe në PMS, simptomat zakonisht fillojnë shtatë deri në 10 ditë para fillimit të menstruacioneve dhe vazhdojnë në ditët e para të menstruacioneve.

Këto simptoma mund të shkaktojnë fryrje, ndjeshmëri të gjoksit, lodhje dhe ndryshime në rutinën e gjumit dhe të ushqyerit. Në PMDD, megjithatë, dallohen të paktën një nga këto simptoma emocionale dhe të sjelljes: trishtim, ankth, tension, irritim ose zemërim i theksuar.

Prevalenca e dismenorresë varion midis 16% dhe 91% në gratë e moshës riprodhuese, me dhimbje të forta në deri 29% të grave. Mosha e grave, barazia dhe përdorimi i kontraceptivëve oral janë të lidhur në mënyrë të kundërt me dismenorrenë. Stresi i lartë, poashtu, rrit rrezikun e dismenorresë. Dismenorrea, sipas studimeve është rritur si problem, ku tashmë raportet e gjasave të shfaqjes tek gratë janë midis 3.8 dhe 20.7.

Deri tash, janë disa shtete të cilat ua mundësojnë grave të marrin pushim menstrual. Ndër këto shtete është Spanja, vendi i parë në Europë, që tashmë ka ligj për ‘pushim menstrual’ me pagesë për tri ditë, me mundësinë për ta zgjatur në pesë ditë për ato gra që kanë cikël menstrual të çrregulluar e që shkakton marramendje, vjellje apo probleme të tjera shëndetësore. Në anën tjetër, e drejta e pushimit menstrual në Japoni ekziston për më shumë se 70 vjet, dhe ky nuk është vendi i vetëm në Azi që ka një politikë të tillë. Koreja e Jugut miratoi pushimin periodik në vitin 1953. Në Kinë dhe Indi, organizatat dhe kompanitë po miratojnë gjithnjë e më shumë politika të pushimit menstrual me një sërë të drejtash për gratë. Politikat e pushimit menstrual ekzistojnë edhe në Indonezi, Zambi dhe Meksikë.

Cikli menstrual mesatar është 28 ditë. Simptomat para menstruacioneve, si ngërçet dhe lodhja, janë të zakonshme. Sidomos, gjatë ciklit gratë dhe vajzat kanë ndryshime në disponim dhe nivelet e energjisë, veçanërisht gjatë ditëve të para. Shumë gra përjetojnë dhimbje ekstreme dhe prapë vendosin t’i  durojnë ato dhimbje e të vazhdojnë punën e tyre.

Një studim me 32,748 gra holandeze i botuar në British Medical Journal para dy viteve, zbuloi se 14% e tyre kishin marrë pushim nga puna ose shkolla gjatë periudhës së ciklit menstrual. Por vetëm 20% e tyre kishin dhënë arsyen e vërtetë që po kërkonin pushim nga puna. Kjo tregon se gratë nuk ndihen rehat të flasin hapur për problemet që iu shkakton cikli menstrual, aq më pak në vendet e punës.

Rreth 68% e grave të anketuara kishin thënë se do të dëshironin të kishin opsionin e orëve më fleksible të punës gjatë periudhës së ciklit. Por shumica – pak më pak se 81% – kishin thënë që dalin në punë gjithsesi, edhe pse ndiheshin më pak produktive si rezultat i simptomave të tyre. Simptomat e periudhës menstruale mund të lidhen me gati nëntë ditë të humbjes së produktivitetit çdo vit, sipas studimit më të madh të këtij lloji, të publikuar në revistën online BMJ Open.

Duke qenë se kjo është diçka që prek vetëm njërën gjini, si duket nuk i jepet shumë rëndësi nga punëdhënësit. Një problematikë tjetër këtu mund të jetë që ndoshta gratë ngurrojnë nga frika se mund të humbasin punën nëse kërkojnë pushim menstrual.

Adelina Tërshani, aktiviste, shpreh nevojën urgjente për njohjen e një pushimi të tillë për gratë. Ajo thotë se gratë dhe vajzat në Kosovë përjetojnë diskriminim gjinor qysh në momentin kur i qasen tregut të punës, prandaj nevoja për politika të tilla është urgjente. Në një vend si Kosova ku stigma mbi ciklin menstrual është e shumëfishuar, thotë ajo, promovimi dhe aplikimi i pushimit menstrual për gratë punëtore do të ndihmonte në zbehjen e kësaj stigme.

“Një pushim i tillë nuk do të duhej të renditej në listën e pengesave me bazë gjinore, për gratë që duan t’i qasen tregut të punës, por duhet të shihet si nevojë dhe përshtatje e kushteve të punës për nevojat e grave, të cilave e drejta për punë iu shkelet çdo ditë”, thotë Tërshani

Pushimi menstrual, ndër të tjera, mund të promovojë barazinë gjinore në vendin e punës duke njohur dhe mbështetur nevojat shëndetësore të grave. Për më shumë, një ndërgjegjësim për stigmën rreth menstruacioneve është i rëndësishëm për të krijuar një ambient më të hapur dhe më të barabartë për gratë.

——————————

Ky artikull është shkruar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, ATRC dhe BIRN Kosova.