Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Trump zyrtarizon politikën kundër gjithëpërfshirjes

QIKA 22.1.2025

Të hënën presidenti i ri i SHBA-ve, Donald Trump, ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv “Mbrojtja e grave nga ekstremizmi i ideologjisë gjinore dhe rikthimi i së vërtetës biologjike në qeverinë federale”, i cili përcakton se qeveria amerikane njeh vetëm dy gjini dhe se gjinia është e pandryshueshme.

Ky urdhër udhëzon qeverinë amerikane të heqë “udhëzimet radikale të ideologjisë gjinore komunikimin, politikat dhe format” dhe të rishikojë programet e diversitetit, barazisë dhe gjithëpërfshirjes (DEI).

Sipas urdhrit “gjinitë që nuk janë të ndryshueshme dhe janë të bazuara në realitetin themelor të pakundërshtueshëm”.

Qeveria federale do të kalojë gjithashtu nga përdorimi i termit “gjini” në “seks” dhe se seksi është “klasifikimi biologjik i pandryshueshëm i një individi”, u tha gazetarëve të hënën një zyrtar i administratës Trump.

Donald Trump, i cili gjatë gjithë fushatës së tij kishte mbajtur qëndrimet antigjinore, gjatë fjalimit inaugurues tha “që nga sot, tani e tutje do të jetë politikë zyrtare e qeverisë së Shteteve të Bashkuara që ka vetëm dy gjini, mashkull dhe femër”.

Të gjitha agjencitë qeveritare duhet të sigurojnë që dokumentet zyrtare, duke përfshirë pasaportat, vizat dhe kartat e hyrjes, “të pasqyrojnë me saktësi seksin e mbajtësit”, thuhet në urdhrin ekzekutiv.

Agjencive do t’u ndalohet gjithashtu të promovojnë tranzicionin gjinor dhe burgjet do të udhëzohen të mos përdorin fondet e taksapaguesve për shërbimet e tranzicionit gjinor. “Agjencitë do të pushojnë së pretenduari se burrat mund të jenë gra dhe gratë mund të jenë burra kur zbatojnë ligjet që mbrojnë nga diskriminimi gjinor,” thuhet në urdhër.

Një zyrtar i administratës tha se urdhri do t’i jepte fund diversitetit, barazisë dhe gjithëpërfshirjes (DEI) brenda qeverisë federale, duke shkurtuar fondet për programet e DEI në të gjitha agjencitë dhe duke përfshirë edhe rishikimin e zyrave të riemërtuara për shkak të iniciativave të DEI, shkruan BBC.

Urdhri ekzekutiv i Trump zhbën përpjekjet e administratës Biden për të promovuar gjithëpërfshirjen përmes dy urdhrave që ish-presidenti Biden nënshkroi në ditën e tij të parë në detyrë katër vjet më parë – një për avancimin e barazisë racore dhe një tjetër që lufton diskriminimin bazuar në identitetin gjinor apo orientimin seksual

Që nga viti 2022, qytetarët amerikanë kanë mundur të zgjedhin “X” si shenjëzuesin gjinor në pasaporta.

Trump i quajti përpjekjet e administratës Biden “praktika jopopullore, inflacioniste, të paligjshme dhe radikale brenda çdo agjencie dhe zyre të Qeverisë Federale”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se, “normat e ngurta gjinore gjithashtu ndikojnë negativisht tek njerëzit me identitete të ndryshme gjinore, të cilët shpesh përballen me dhunë, stigmë dhe diskriminim si rezultat, duke përfshirë mjediset e kujdesit shëndetësor”. Ndërsa të hënën, Trump nënshkroi një urdhër tjetër ekzekutiv që synon tërheqjen e SHBA nga OBSH.

“Ne refuzojmë të tërhiqemi apo të frikësohemi. Ne nuk do të shkojmë askund dhe do të luftojmë kundër këtyre dispozitave të dëmshme me gjithçka që kemi”, tha në një deklaratë Kelley Robinson, presidente e Fushatës për të Drejtat e Njeriut, grupi më i madh i mbrojtjes së të drejtave LGBTQ+ në SHBA.

Mbrojtësit e të drejtave kanë thënë se çdo kthim prapa i të drejtave të DEI dhe trans të zbatuar nga Trump do të ishte një goditje ndaj përpjekjeve shekullore për të siguruar politika të barabarta dhe minim i progresit të bërë për të adresuar paragjykimet sistemike që kanë privuar grupet e margjinalizuara nga mundësitë e barabarta për dekada me radhë.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona të pandërprera për të mbrojtur të drejtat e emigrantëve, për të luftuar shtypjen e votuesve dhe për t’u përballur me urrejtjen dhe diskriminimin në të gjitha format e tij,” tha në një deklaratë, Americans Asian Advancing Justice.

Zemërimi dhe revolta është vërejtur edhe në pjesëmarrjen masive në Marshin e Popullit, i cili sivjet u quajt Marshi i Grave dhe u mbajt më 21 janar – dy ditë para inaugurimit të Trump-it. Ky marsh solli turma të mëdha njerëzish në Uashington dhe në ngjarjet lokale anembanë vendit për avokuar mbi çështjet përfshirë demokracinë, emigracionin, drejtësinë gjinore dhe çështjet LGBTQ+, shkruan The 19th.