Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

UN Women bën thirrje që t’i jepet fund shtypjes së grave afgane

QIKA 18.6.2024

Të drejtat e grave në Afganistan gjithmonë kanë qenë çështje e një lufte të ashpër për shkak të regjimeve dhe brezave, por shtypja që gratë dhe vajzat afgane po përjetojnë që nga gushti i vitit 2021 është i pakrahasueshëm sa i përket shkallës dhe ndikimit.

“Profili Gjinor i Vendit në Afganistan 2024” analizon barazinë gjinore gjatë 40 viteve të fundit dhe dëshmon sesi dekada progresi janë fshirë nga më shumë se 70 dekrete, direktiva, deklarata dhe praktika të prezantuara nga Talibanët në më pak se tre vjet. Këto masa kanë synuar të drejtat, jetën dhe trupat e grave dhe vajzave afgane, raporton UN Women.

Për më tepër, Profili Gjinor tregon se ndalimi i arsimit për 1.1 milionë vajza dhe mbi 100,000 gra lidhet me një rritje të rrezikut të vdekshmërisë amësore me të paktën 50 për qind.

Gratë afgane kanë shumë pak hapësirë për të ndikuar në vendimet që prekin jetën e tyre. 8 % e grave të anketuara njohin të paktën një grua ose vajzë që ka tentuar të bëj vetëvrasje që nga gushti 2021.

“Gratë duan të drejtën për të marrë vendime, jo vetëm në shtëpitë e tyre, por edhe në qeveri dhe hapësira të tjera. Ato duan arsimim, duan të punojnë dhe të kenë të drejtat e tyre”, tha një udhëheqëse e komunitetit afgan që mbështet punën e UN Women në terren.

Profili Gjinor thekson se gratë afgane vazhdojnë t’i shërbejnë komunitetit dhe të avokojnë për të drejtat e tyre, dhe vendosmëria e tyre rritet edhe pse statusi dhe situata e tyre vazhdojnë të përkeqësohen.

“Gratë afgane tregojnë një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Përballë sfidave të mëdha, gratë vazhdojnë të drejtojnë organizata dhe biznese”, tha Alison Davidian, përfaqësuese e posaçme e UN Women në Afganistan.