Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

UNESCO ua kushton Ditën Ndërkombëtare të Arsimit vajzave dhe grave afgane

QIKA 24.1.2023

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit (24 janar), UNESCO po nxjerr në pah realitetin e zymtë të vajzave dhe grave në Afganistan të cilat ende po luftojnë për të drejtën e tyre për arsim.

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay ka vendosur t’ia kushtojë ditën e sotme vajzave dhe grave afgane në dritën e luftës së tyre të vazhdueshme. Aktualisht, 2.5 milionë (80%) e vajzave afgane janë jashtë shkollës, 1.2 milionë prej të cilave iu mohua qasja në shkollë të mesme dhe universitet pas vendimit të autoriteteve talibane.

“Asnjë vend në botë nuk duhet t’i ndalojë gratë dhe vajzat nga shkollimi”, tha Azoulay.

Ndërsa lufta që vajzat dhe gratë afgane të mund të kthehen në shkolla ende vazhdon, UNESCO po punon për zgjidhje alternative për të ndihmuar që përparimi i vendit në qasjen në arsim të mos zhduket.

UNESCO po punon për të ofruar arsim në distancë përmes mediave afgane – veçanërisht radiove, të cilat janë të qasshme në shtëpitë e më shumë se dy të tretave të popullsisë.

Organizata jofitimprurëse gjithashtu po mbështet këto media në prodhimin e përmbajtjeve të ndjeshme ndaj konfliktit, përmbajtjeve humanitare dhe arsimore me interes publik, duke synuar të arrijë të paktën 6 milionë afganë, me fokus të veçantë te gratë dhe vajzat. Kjo përfshin mbështetjen e një radioje të udhëhequr nga gratë që do të prodhojë mbi 200 orë përmbajtje edukative në muaj kushtuar vajzave dhe grave.