Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

UP do të rifillojë procedurën disiplinore ndaj Xhevat Krasniqit

QIKA 24.4.2025

Dy javë pasi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për ngacmim seksual ndaj Xhevat Krasniqit, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu i ka kërkuar Këshillit të Etikës të UP-së të rifillojë procedurën disiplinore ndaj tij.

“Dëshirojmë t’ju njoftojmë se, në përputhje me rregulloret dhe dispozitat ligjore në fuqi, çështja është proceduar për shqyrtim pranë Këshillit të Etikës”, ka konfirmuar Besnik Loxha nga UP.

Në kërkesën e rektorit Hajrullahu dërguar te Këshilli i Etikës i UP-së, ai është bazuar në njoftimin zyrtar që kanë marrë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, ku i është konfirmuar ngritja e aktakuzës ndaj Krasniqit, më 10.04.2025.

“Kërkoj nga Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës që: Të rifillojë me automatizëm dhe sipas detyrës zyrtare procedurën disiplinore ndaj mësimdhënësit Xhevat Krasniqi, në përputhje me kompetencat e tij, bazuar në pretendimet e ngritura dhe të trajtuara në vendimin nr. 1/333, datë 8.5.2024, si dhe në dritën e zhvillimeve të reja të konfirmuara nga organet kompetente shtetërore” – thuhet në kërkesën e Hajrullahut, më 23.04.2025.

Hajrullahu ka kërkuar po ashtu që procedura disiplinore ndaj Krasniqit të zhvillohet në përputhje me Rregulloren për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik të UP-së, duke përfshirë edhe shqyrtimin e fakteve dhe rrethanave të reja që dalin nga përfundimi i fazës hetimore dhe ngritja e aktakuzës.

Hajrullahu i ka bashkangjitur kërkesës së tij edhe dokumentin e aktakuzës së ngritur ndaj Krasniqit.

Kjo do të jetë hera e dytë që Këshilli i Etikës i UP-së do ta trajtojë rastin e Krasniqit, pasi herën e parë e kishte trajtuar para se të merrej vendimi për pezullimin e përkohshëm të tij nga puna, më 23.04.2024.

Kryetari i Këshillit të Etikës, Flamur Hyseni, ka konfirmuar se kanë pranuar kërkesën nga rektori dhe ka thënë se ata do ta shqyrtojnë çdo kërkesë që shkon te ta, pastaj me shumicë votash do të vendosin nëse mund të jenë mbledhjet e hapura në rastin e Krasniqit.

Xhevat Krasniqi ishte pezulluar nga puna për gjashtë muaj më 23.04.2024 nga ish-rektori i UP-së, Qerim Qerimi. Pasi kaluan gjashtë muaj, rektori i ri i UP-së, Arben Hajrullahu, mori vendim më 23.10.2024 që t’ia vazhdojë pezullimin deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria.

Po ashtu kujtojmë se edhe pas ngritjes së aktakuzës për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi vazhdon të marrë gjysmën e pagës së tij, ashtu siç e ka marrë që nga dita e suspendimit.