Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vajzat adoleshente po përballen me partnerë të dhunshëm

QIKA 29.8.2024

Rreth 19 milionë e vajzave adoleshente që kanë qenë në një lidhje kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim deri në moshën 20-vjeçare, sipas një analize nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) botuar në The Lancet Child & Adolescent Health.

“Dhuna nga partneri intim po fillon herët në mënyrë alarmante për miliona gra të reja në mbarë botën. Duke pasur parasysh se dhuna gjatë këtyre viteve kritike të formimit mund të shkaktojë dëmtime të thella, ajo duhet të merret më seriozisht dhe të trajtohet si çështje e shëndetit publik – duke synuar parandalimin dhe mbështetjen adekuate”, tha Dr. Pascale Allotey, Drejtore e Departamentit për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues dhe Hulumtimit në OBSH-së.

Dhuna nga partneri mund të ketë ndikime shkatërruese në shëndetin e vajzave të reja, arritjet arsimore, marrëdhëniet e ardhshme dhe perspektivat gjatë gjithë jetës. Nga pikëpamja shëndetësore, rrit gjasat e lëndimeve, depresionit, çrregullimeve të ankthit, shtatzënive të paplanifikuara, infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe shumë kushteve të tjera fizike dhe psikologjike.

Derisa dhuna ndaj vajzave adoleshente ndodh kudo, autorët theksojnë dallime të rëndësishme në prevalencë. Bazuar në vlerësimet e OBSH-së, rajonet më të prekura janë Oqeania (47%) dhe Afrika Qendrore Sub-Sahariane (40%), për shembull, ndërsa normat më të ulëta janë në Evropën Qendrore (10%) dhe Azinë Qendrore (11%).

Sipas raportit, dhuna nga partneri intim ndaj vajzave adoleshente është më e zakonshme në vendet dhe rajonet me të ardhura më të ulëta, në vendet ku ka më pak vajza që ndjekin shkollimin e mesëm dhe ku vajzat kanë të drejta pronësore dhe trashëgimie më të dobëta krahasuar me burrat. Martesat e hershme përshkallëzojnë ndjeshëm rreziqet, pasi dallimet në moshë krijojnë çekuilibër pushteti, varësi ekonomike dhe izolim social, të cilat të gjitha rrisin gjasat për të duruar abuzimin.

Raporti thekson nevojën urgjente për të forcuar shërbimet mbështetëse dhe masat e hershme të parandalimit të përshtatura për adoleshentët, së bashku me veprimet për të avancuar agjencinë dhe të drejtat e grave dhe vajzave – nga programet e bazuara në shkollë që edukojnë djemtë dhe vajzat për marrëdhënie të shëndetshme dhe parandalimin e dhunës, deri te mbrojtja ligjore dhe fuqizimi ekonomik. Meqenëse shumë adoleshenteve u mungojnë burimet e tyre financiare, ato mund të përballen me sfida të mëdha për t’u larguar nga marrëdhëniet abuzive.

Aktualisht, asnjë vend nuk është në rrugën e duhur për të eliminuar dhunën ndaj grave dhe vajzave deri në datën e synuar të Objektivit për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2030. Dhënia fund martesave të hershme– që prek 1 në 5 vajza globalisht – dhe zgjerimi i qasjes së vajzave në arsimin e mesëm do të jenë faktorë kritikë për reduktimin e dhunës nga partneri ndaj vajzave adoleshente, shkruan OBSH.

Lexoni raportin e plotë: https://www.thelancet.com/journals/lanchi/article/PIIS2352-4642(24)00145-7/fulltext