Alb Eng
Për QIKA
Lajme

51 vite nga protesta e grave brenda mediumit “Ladies Home Jurnal”

QIKA 18.3.2021

Ladies Home Jurnal, megjithëse ishte në pronësi dhe drejtohej kryesisht nga burrat, ishte një nga revistat më të lexuara për gra në fillim të viteve të 70-ta. Përmbajtja e saj përqendrohej kryesisht tek bukuria, kujdesi për shtëpinë dhe amësia. Revista madje kishte një rubrikë me titullin “A mund të shpëtohet kjo martesë?” e cila udhëzonte gratë se si t`i përmbushin më mirë nevojat e burrave për t`i ruajtur martesat të cilat shpeshherë ishin të dhunshme fizikisht e psiqikisht.

Në këtë periudhë disa organizata feministe së bashku vendosën që ishte koha të tërheqin vëmendjen tek seksizmi i lartë dhe dominues i kësaj industrie. Njëra nga këto gra kishte punuar më parë në Ladies Home Jurnal dhe vazhdonte të kishte qasje në atë objekt i cili u vendos si vend proteste. Shumë shpejt në zyret e revistës u grumbulluan rreth 200 gra të cilat në shenjë revolte qëndruan të mbyllura aty për 11 orë rresht.

Kërkesat e protestueseve ishin të qarta. Ato donin që kryeredaktori, John Mack Carter, të zëvendësohej me një kryeredaktore grua. Pastaj, donin një politikë editoriale kundër reklamave që protretizonin gabimisht gratë, hapësira për kujdes ditor për fëmijët e të punësuarve, të largohej rubrika “A mund të shpëtohet kjo martesë?”, etj. Në vend të tyre, aktivistet feministe sipas The New York Times propozuan trajtim të temave që do të trajtonin problemet e vërteta me të cilat ballafaqohen gratë.

Edhe pse të dy palët kishin qëndrime të kundërta si përfundim u arritë një marrëveshje. Aty u vendos se do të publikohet një version i revistës me tetë faqe të shkruara nga gratë protestuese. Ky verzion u publikua në gusht të vitit 1970 me përmbajte rrënjësisht ndryshe nga ajo që ishte parë më herët nga kjo revistë. Edhe pse revistat për gra vazhdonin të udhëhiqeshin kryesisht nga burrat, gjithsesi ky ndryshim ndikoi jo vetëm në formën se si kjo revistë portretizonte gratë por edhe në përgjithësi në përmbajtjen e mediave e tjera.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.