Teksa lufta e Rusisë ndaj Ukrainës po shënon përvjetorin e tretë, efekti i saj tek gratë dhe vajzat raportohet të jetë shkatërrues. Sipas Kombeve të Bashkuara, 1,869,000 gra janë zhvendosur brenda vendit, gati 6.7 milionë gra kanë nevojë për ndihmë humanitare, dhe mbi 3,799 gra dhe 289 vajza janë regjistruar si të vrara, ndërsa numri real vlerësohet të jetë edhe më i lartë.
Lufta ka kthyer pas progresin e bërë për të gjitha gratë ukrainase, duke i ekspozuar ndaj dhunës me bazë gjinore, papunësisë në rritje, zvogëlimit të fuqisë vendimmarrëse, barrës së shtuar në punët e papaguara dhe një krizë të rëndë të shëndetit mendor.
Dhuna me bazë gjinore, e cila ishte e lartë edhe para luftës, është rritur me 36% që nga viti 2022. Stresi i shkaktuar nga lufta ka ndikuar në rritjen e nivelit të depresionit tek gratë dhe vajzat, raporton UN Women.
Pabarazitë ekonomike janë thelluar, në vitin 2023, gratë përbënin 72.5% të personave të papunë në Ukrainë. Deri në vitin 2024, vetëm 48% e grave të zhvendosura kanë gjetur punë, krahasuar me 71% të burrave. Për më tepër, gratë për punën e njëjtë janë paguar 41.4% më pak se burrat, duke e dyfishuar hendekun e pagave që nga viti 2021.
Ndërkohë, barra e punës së papaguar është rritur ndjeshëm, ku gratë në 2024 kalojnë mesatarisht 56 orë në javë duke u kujdesur për fëmijët, një rritje nga 49 orë para luftës. Mbyllja e qendrave të kujdesit për fëmijë e ka rënduar edhe më tej këtë situatë.