Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Universiteti në Nigeri ndalon vajzat pa sytjena të hyjnë në provim

QIKA 2.7.2025

Një universitet në Nigeri ka shkaktuar zemërim publik pasi u shfaq një video ku anëtare të stafit gra shihen duke prekur studentet vajza për të kontrolluar nëse kishin veshur sytjena para se t’u lejohej hyrja në provim.

Në pamjet filmike, tashmë virale, studentet e Universitetit Olabisi Onabanjo shihen të radhitura drejt sallës, dhe secila prej tyre do të kontrollohej para se të hynte.

Universiteti nuk ka komentuar ende për videon, derisa një përfaqësues studentor, mbrojti politikën e sytjenave si pjesë të kodit të veshjes së institucionit që synon ruajtjen e “një mjedisi pa shpërqendrime”.

Megjithatë, ai pranoi se nevojiteshin mënyra të tjera për të zbatuar politikën që po cilësohet si arkaike, seksiste dhe po krahasohet me sulmin seksual.

Një zyrtar i lartë në grupin e fushatës Human Rights Network tha se studentet mund të padisin universitetin për shkelje të të drejtave të tyre.

Një studente që nuk donte të identifikohej i tha BBC-së se universiteti zbatonte një kod të rreptë moral ani pse se nuk ishte një institucion fetar. Ajo po ashtu tha se rrobat e tyre kontrolloheshin gjithmonë.

Në kundërpërgjigje të reagimeve, presidenti i sindikatës së studentëve të universitetit, Muizz Olatunji, shkroi në X se universiteti promovonte “një politikë të kodit të veshjes që synonte ruajtjen e një mjedisi respektues dhe pa shpërqendrime, duke i inkurajuar studentët të visheshin modestisht dhe në përputhje me vlerat e institucionit”.

Ai gjithashtu publikoi kodin e veshjes, i cili përfshinte ndalime për çdo veshje që cilësohej si “e mundshme që në mënyrë të pahijshme, të rriste epshin e studentëve të të njëjtit seks ose seksit të kundërt”.