Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Burri dyshohet se vrau gruan në Malishevë

QIKA 24.8.2026

Një grua 25-vjeçare ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi ishte plagosur me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës. Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, viktima ishte bashkëshortja e personit të dyshuar.

Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari, 26-vjeçar, gjithashtu i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK dhe, sipas njoftimit të Prokurorisë, është në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.

Prokuroria ka bërë të ditur se, në koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr veprimet e nevojshme për të ndriçuar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të siguruar provat relevante.

Kurse, drejtori i Klinikes Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka konfirmuar për Kallxo.com se viktima ishte shtatzënë.