Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë po filmohen fshehurazi me syze inteligjente

QIKA 27.1.2026

Në TikTok po qarkullojnë qindra video të grave që filmohen fshehurazi dhe pa dijeninë e tyre nga burrat, përmes syzeve inteligjente, e që më pas publikohen online. Në shumë raste, këta burra kanë hapur profile të rreme të dedikuara posaçërisht për shpërndarjen e videove me gra të incizuara pa pëlqimin e tyre.

Komentet në këto video janë të mbushura me përmbajtje seksuale dhe fyese, të drejtuara ndaj grave, raporton the Feminist.

Këto video, të publikuara për burrat e tjerë si këshilla se si duhet të sillen në takime, kanë arrituar të kenë  6.9 milionë shikime në TikTok dhe më shumë se 100,000 pëlqime në Instagram. Shumë nga këta burra që publikojnë video të tilla, fitojnë të ardhura nga këshillat që u ofrojnë klientëve, raporton BBC.

Një studim nga studentët e Harvardit, Anh Phu Nguyen dhe Caine Ardayfio, ka zbuluar se syzet inteligjente, në kombinim me inteligjencën artificiale dhe teknologjinë e njohjes së fytyrës, mund të përdoren lehtësisht për të mbledhur informacione private.

Kjo teknologji mund të skanojë shpejt bazat publike të të dhënave dhe të gjejë brenda pak sekondash informacionet personale të një personi, përfshirë emrin, adresën, numrin e telefonit dhe emrat e të familjarëve.

Duke qenë se gratë tashmë janë objektivat kryesore të dhunës digjitale, teknologjia e syzeve inteligjente përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e grave dhe hap rrugën për rritje të numrit të përndjekjesëve dhe abuzimit të lehtësuar nga teknologjia. Aktualisht, më pak se 40% e shteteve kanë ligje që mbrojnë gratë nga ngacmimi ose përndjekja kibernetike, duke lënë 1.8 miliardë gra dhe vajza në mbarë botën pa mbrojtje ligjore.

Syzet inteligjente vijnë në shumë lloje dizajnesh, të cilat mund të bëhen edhe më të larmishme nëse kjo teknologji vazhdon të rritet. Disa syze inteligjente kanë dritë LED të integruar për të treguar kur po filmojnë, megjithatë këto mund të jenë të vështira për t’u dalluar.

Kompanitë kryesore që dominojnë tregun e syzeve inteligjente përfshijnë Meta (në partneritet me EssilorLuxottica) me modelet e tyre Ray-Ban dhe Oakley, së bashku me Huawei, Amazon, dhe XReal.