Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

BE bllokon rezolutën e SHBA-së për përcaktimin e gjinisë në terma biologjikë

QIKA 25.3.2026

Bashkimi Evropian bllokoi në OKB një rezolutë të propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila synonte përcaktimin e gjinisë në terma biologjikë në një nga forumet më të rëndësishme për të drejtat e grave.

Propozimi i SHBA-së, i titulluar “Mbrojtja e grave dhe vajzave përmes terminologjisë së përshtatshme”, kërkonte që termi ‘gjini’ të interpretohej “sipas përdorimit të zakonshëm dhe të pranuar gjerësisht, duke iu referuar burrave dhe grave”.

Ky propozim nuk arriti të diskutohej sepse Belgjika, e cila përfaqësoi BE-në në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përdori procedurën e njohur si “mocion për mosveprim”, e cila ndalon shqyrtimin ose debatin mbi një propozim përpara se ai të dalë në votim.

SHBA përmes këtij propozimi synoi të përcaktonte gjininë sipas seksit biologjik në politikat e OKB-së. “Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa forca të caktuara keqpërdorin organizatat shumëpalëshe për të promovuar ideologjitë dhe agjendat e tyre. Ne do të mbrojmë gjithmonë gratë dhe vajzat nga ideologjitë e rrezikshme gjinore dhe do të mbështesim të vërtetën biologjike,” tha Bethany Kozma, drejtore për çështje globale në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore të SHBA-së, teksa bllokimin e votimit e cilësoi si vendim politik.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së, duke argumentuar se propozimi ishte i pasaktë dhe i nxituar. “Draft-rezoluta e paraqitur nga SHBA ishte faktikisht e pasaktë,” tha David Jordens, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Belgjikës, duke shtuar se ajo bie në kundërshtim me gjuhën e dakorduar në Deklaratën e Pekinit. Tutje, ai tha se “nuk ekziston një përkufizim universal i ngurtë apo përfundimtar i termit ‘gjini’, dhe se çdo përpjekje për të rishikuar ose riinterpretuar gjuhën e dakorduar ndërkombëtarisht duhet të bëhet përmes konsultimeve të gjera dhe transparente me të gjitha shtetet anëtare”.

Aktualisht, kornizat e OKB-së, të bazuara në Deklaratën e Pekinit të vitit 1995, nuk japin një përkufizim universal dhe të ngurtë mbi gjininë, por mbështeten në interpretime që evoluojnë dhe lidhen me koncepte më të gjera të identiteteve gjinore, shkruan Fox News Digital.

Ky debat ka pasoja praktike, pasi gjuha e përdorur në OKB ndikon në standardet globale që lidhen me financimin për zhvillim, programet humanitare, politikat arsimore dhe kornizat kundër diskriminimit.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara ishin i vetmi shtet që kundërshtoi dokumentin vjetor të Komisionit të OKB-së për Statusin e Grave, të njohur si “Përfundimet e Përbashkëta”, duke shprehur shqetësime se gjuha e përdorur në dokument largohet nga përkufizimet biologjike të grave dhe vajzave. Asnjë vend tjetër nuk votoi në të njëjtën linjë me SHBA-në.