Sipas Amnesty International, organizatë globale për të drejtat e njeriut, grave palestineze në Rripin e Gazas u janë mohuar kushtet e nevojshme për të jetuar dhe për të lindur në mënyrë të sigurt.
Organizata paralajmëroi se gratë dhe vajzat në Gaza janë në rrezik, pasi lufta izraelite ka shkaktuar një sërë vështirësish, nga zhvendosja masive deri te shkatërrimi i sistemit lokal të kujdesit shëndetësor.
Gratë shtatzëna, si dhe ato që kanë nevojë për trajtim për kancer dhe sëmundje të tjera, janë goditur veçanërisht rëndë nga mungesa e shërbimeve adekuate shëndetësore në territor, raporton Al Jazeera.
“Ky erozion sistematik i të drejtave të tyre për shëndet, siguri, dinjitet dhe një të ardhme nuk është një pasojë fatkeqe e luftës, por një akt i qëllimshëm lufte që targeton gratë dhe vajzat”, thuhet në deklaratë.
Kujtojmë se më shumë se 72,000 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gazë në tetor 2023. Sulmet izraelite kanë vazhduar pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA, i cili hyri në fuqi në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 600 persona.
Izraeli gjithashtu vazhdon të pengojë rrjedhën e qëndrueshme të dërgesave të ndihmës humanitare në Gaza. “Shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues mbeten rëndë të ndërprera për shkak të infrastrukturës së dëmtuar, mungesës së barnave dhe furnizimeve thelbësore, si dhe kapaciteteve të kufizuara për referim”, tha zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara (OCHA), duke theksuar se deri në 180 gra lindin çdo ditë në Gaza.
“Mungesat e mëdha të shtretërve nënkuptojnë se gratë që i nënshtrohen procedurave të mëdha, përfshirë prerjet cezariane, shpesh lirohen brenda disa orësh dhe kthehen në ambiente të mbipopulluara, duke rritur rrezikun për komplikime dhe infeksione”, tha agjencia.
Amnesty tha se punonjësit mjekësorë në Gaza raportuan “një rritje të shpejtë të problemeve shëndetësore të nënave dhe të porsalindurve gjatë 29 muajve të fundit që nga fillimi i luftës”.
Kjo përfshin lindje të parakohshme, foshnja me peshë të ulët dhe foshnja që vuajnë nga probleme respiratore, kequshqyerje te gratë shtatzëna dhe depresion pas lindjes.
“Kushtet e zhvendosjes kanë çuar në sëmundje infektive, dhe shumica e grave vijnë këtu nën stres, traumë dhe pasiguri, pasi kanë përjetuar zhvendosje të shumta, kanë humbur të afërm dhe nuk janë në gjendje të sigurojnë ushqimin që u nevojitet”, tha Dr. Nasser Bulbol, neonatolog në Spitalin Al Helou në qytetin e Gazas, duke shtuar se ka pasur një rritje të shtatzënive me rrezik të lartë për shkak të kushteve në vend.