Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pas martesave të detyruara dhe abuzimit, gratë në Kinë po gjejnë shpresë për drejtësi

QIKA 18.6.2026

Verën e kaluar, Xiaocao, një grua e qetë në të 40-at e saj, mori një informacion se në Lüliang, një qytet i vogël në provincën Shanxi të Kinës, gra në situata të cenueshme po detyroheshin të hynin në martesa. Së bashku me një vullnetare tjetër, ajo vendosi ta hetojë rastin.

Pasi u nisën nga Pekini, dy vullnetaret udhëtuan për orë të tëra drejt jugut, me trena dhe makina me qira. Disa fshatra ku shkuan rezultuan të pasuksesshme. Por në ditën e fundit të udhëtimit, ato ndaluan në një qark ku kishin dëgjuar për një grua me aftësi të kufizuara në të nxënë, e cila ishte “martuar” me dy vëllezër. Shpejt, ato e gjetën.

“Ajo e kuptoi se nuk kishim qëllime të këqija, ndaj ndaloi dhe bisedoi me ne”, thotë Xiaocao, e cila kërkoi të identifikohej vetëm me pseudonimin e saj për shkak të natyrës së ndjeshme të punës që bën.

Gruaja në fund refuzoi ndihmën e tyre. Por rasti i saj është vetëm një nga mijëra rastet e mundshme në mbarë Kinën, të cilat aktivistet përpiqen t’i identifikojnë dhe t’u ofrojnë ndihmë grave të cenueshme që janë abuzuar ose trafikuar. Në vend që të angazhohen publikisht, këto aktiviste veprojnë në prapaskenë, duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për gratë që, sipas tyre, po lihen pas dore nga shteti.

Rasti i “gruas së lidhur me zinxhir

Trafikimi dhe shfrytëzimi i grave në Kinë tërhoqi vëmendjen e botës pas një rasti që doli në pah në vitin 2022.

Çdo detaj ishte tronditës: një grua e lidhur për qafe me zinxhir në një kasolle të ndotur; tetë fëmijët që ajo kishte lindur dhe mbrojtja fillestare që zyrtarët lokalë i bënë martesës së saj me burrin që e kishte lidhur.

Rasti i “gruas së lidhur me zinxhir”, një grua me probleme të shëndetit mendor që më vonë u identifikua si Xiao Huamei, u bë shpejt viral pasi u publikua në internet nga një bloger në vitin 2022. Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për të kufizuar reagimin publik, ky rast frymëzoi një formë të re të feminizmit në Kinë. Një feminizëm që vepron në hije.

Qeveria kineze thotë se luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore është një prioritet, por aktivistet argumentojnë se planet e qeverisë karakterizohen me mungesë së transparencës.

Në vitin 2021, qeveria kineze nisi një plan dhjetëvjeçar kundër trafikimit, në të cilin parashikohej që metodat e hetimit të “modernizoheshin dhe përmirësoheshin”. Në prill të këtij viti, Gjykata Supreme Popullore deklaroi se numri i krimeve të trafikimit dhe rrëmbimit që përfshijnë gra dhe fëmijë ka rënë me pothuajse 80% që nga viti 2012.

Megjithatë, vitet e fundit Kina ka reduktuar ndjeshëm numrin e vendimeve gjyqësore të publikuara në internet, duke e bërë të vështirë gjetjen e detajeve mbi rastet konkrete ose verifikimin e pretendimeve zyrtare. Për më tepër, normat tradicionale shoqërore në zonat rurale bëjnë që shumë raste të mos raportohen fare.

Një raport i qeverisë së Shteteve të Bashkuara, i publikuar vitin e kaluar mbi trafikimin në Kinë, theksonte se: “Disa raste të martesave të detyruara janë trajtuar në nivel fshati përmes ndërmjetësimit; këto procedura rrallëherë përfundojnë me një vendim fajësie.”

Që nga ardhja në pushtet e Xi Jinping në vitin 2012, ai ka ashpërsuar kontrollin ndaj të gjitha formave të shoqërisë civile, përfshirë organizatat që punojnë për të eliminuar ngacmimin seksual, dhunën në familje dhe diskriminimin.

Pavarësisht kësaj, grupe të reja grash në të gjithë Kinën po ndërmarrin veprime.

Që nga rasti i Xiao-s, gjithnjë e më shumë gra me më shumë privilegje kanë filluar të flasin për gratë rurale me aftësi të kufizuara, thotë një aktiviste feministe që kërkoi të mos identifikohej me emër.

Sipas saj, derisa qëndrimet “kundër martesës” dhe “kundër lindjes së fëmijëve” po bëhen më të zakonshme mes grave urbane, shumë prej tyre po bëhen më të ndjeshme ndaj faktit se në zonat rurale, gratë po detyrohen të hyjnë në martesa dhe të lindin fëmijë kundër vullnetit të tyre.

Aktivistet janë të përqendruara në ndihmën e grave që i shohin si viktima të trafikimit, shfrytëzimit dhe abuzimit. Përveç rasteve kur ato blihen ose shiten në martesa, disa detyrohen të hyjnë në marrëdhënie në të cilat nuk janë në gjendje të japin pëlqim.

Celine Liao, kandidate për doktoraturë në Universitetin e Washington-it, e cila studion feminizmin në Kinë, tha se para rastit të “gruas së lidhur me zinxhir”, “trafikimi nuk ishte në qendër të diskursit feminist” në internet. Por që nga viti 2022, “feministet dhe publiku më i gjerë janë bërë dukshëm më të ndjeshëm ndaj çështjeve të lidhura me trafikimin. Në rastet pasuese ka pasur presion më të madh publik ndaj prokurorëve për të shqyrtuar nëse ishte përfshirë trafikimi”.

Larg nga qytetet moderne dhe të pasura si Pekini dhe Shangai, rasti i Xiao-s shkaktoi një shpërthim zemërimi nga ata që e panë si një tjetër shembull të një shoqërie që po dështon të mbrojë më të cenueshmit.

Aktivistet janë nxitur edhe më shumë nga ndjesia se historia e Xiao-s nuk është një rast i izoluar. Në shkurt, u përhap lajmi për një rast tjetër: një burrë në rajonin e varfër malor të Guangxi-t në Kinën jugore u zbulua me një grua me aftësi të kufizuara në të nxënë, me të cilën kishte nëntë fëmijë.

“Unë nuk guxoj ta quaj këtë trafikim njerëzor. Nuk kam prova. Por dua të pyes: si mund të ketë një grua me aftësi të kufizuara intelektuale ‘vullnetarisht’ nëntë fëmijë me një burrë? A mund të shprehë ajo pëlqim?”, shkroi në një artikull blogeri ligjor Li Yuchen, i cili më pas u censurua.

“Një aktakuzë ndaj shoqërisë ku jetojmë”

Gratë kanë reaguar në mënyra të ndryshme. Për të hetuar situatat, disa, si Xiaocao, udhëtojnë fizikisht në vendet ku raportohen raste shfrytëzimi. Të tjera përdorin kohën e tyre të lirë për të monitoruar përpjekjet kombëtare kundër trafikimit. Disa kanë lobuar ndërkombëtarisht për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë çështje në Kinë, një veprim me rrezik të lartë në ditë e sotme. Pothuajse të gjitha veprojnë nën anonimitet për shkak të frikës nga ndëshkimi i autoriteteve, të cilat, pavarësisht mbështetjes zyrtare për kauzën, trajtojnë ashpër aktivistët e pavarur.

Një analizë e publikuar nga studiues të Universitetit Renmin zbuloi se nga më shumë se 1,200 viktima femra të trafikimit të përmendura në dosjet gjyqësore midis 2017 dhe 2020, 20% jetonin me aftësi të kufizuara fizike ose mendore. Dhe shumë raste, si ai i gruas që Xiaocao gjeti në Shanxi, nuk raportohen fare.

Në shkurt, Free Nora, një kolektiv mediatik i krijuar pas rastit të Xiao-s, publikoi një artikull me rastin e përvjetorit të katërt të ngjarjes. Ai e përshkroi rastin si “një aktakuzë ndaj shoqërisë dhe historisë në të cilën jetojmë” dhe botoi një analizë të gjatë mbi progresin dhe mangësitë e qeverisë në mbrojtjen e të drejtave të grave rurale, bazuar në statistika gjyqësore të disponueshme publikisht. Përfundimi i tyre ishte se progresi ishte “i pamjaftueshëm”. Artikulli dhe llogaria e Free Nora në WeChat u fshinë pas kësaj.

Gjashtë persona, përfshirë bashkëshortin, u dënuan më vonë për krime të lidhura me rastin e Xiao-s. Autoritetet nisën një operacion të veçantë për të zbuluar raste të ngjashme, i cili çoi në gjetjen e më shumë se 1,000 grave dhe fëmijëve të zhdukur.

Por përpjekjet për ta hetuar më thellë problemin janë penguar. Aktivistet kanë vënë në dukje se ligji kinez kriminalizon blerjen dhe shitjen e grave, por nuk përfshin rastet kur gra të cenueshme detyrohen të hyjnë në martesa.

Qeveria kineze nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Për momentin, gra si Xiaocao janë të kufizuara në përpjekje për të ndihmuar raste individuale, në vend që të kërkojnë reforma më të gjera. Megjithatë, Xiaocao po studion për t’u bërë avokate për të qenë më e përgatitur në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve. Ajo beson se qeveria nuk e ka trajtuar problemin me seriozitet të mjaftueshëm, pavarësisht rritjes së vëmendjes pas rastit të Xiao-s. “Nuk mendoj se është realiste të mbështetesh te autoritetet për zgjidhur këtë problem,” thotë ajo.

Amy Hawkins

Përktheu: Anita Vllahiu

Artikullin e plotë mund ta gjeni këtu