Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Ëndrra që talibanët nuk arritën ta burgosin

QIKA 10.8.2026

Në ditën time të fundit të shkollës, më dukej sikur vite të tëra përpjekjesh tani ishin përmbledhur në një copëz të vogël letre. Të gjithë ishim të lumtur në diplomim, duke mbajtur certifikatat tona në duar. Secili prej nesh kishte një rrugë të ndryshme përpara. Shokët dhe shoqet donin të studionin mjekësi, inxhinieri civile ose ekonomi. Unë doja aviacionin, të bëhesha pilote.

Punuam shumë, duke u përgatitur për Kankor, provimin e pranimit në universitet, por më pas erdhi vonesa e parë. Koronavirusi mbërriti në Afganistan. Gjithçka u fut në karantinë dhe provimet tona u shtynë.

Përfundimisht, u pranova në universitet. Në ditën time të parë i thashë vetes: “Shabnam, më në fund përpjekjet e tua nuk shkuan dëm.” Buzëqeshja nuk më largohej nga fytyra.

Punova shumë. Në fund të vitit të parë, isha studentja më e mirë në klasën time prej 120 studentësh nga të 34 provincat e Afganistanit. Babai im ishte shumë krenar për mua. Por nëna ime më tha “Bijë, mos u gëzo kaq shumë, dikush mund ta marrë mësysh lumturinë tënde.” Do të doja ta kisha dëgjuar.

Nëna ime më tregonte shpesh histori për talibanët dhe thoshte se ne kishim mbetur prapa në arsim. Pastaj, në vitin tim të dytë, talibanët e morën përsëri Afganistanin. Ishte lamtumirë për universitetin dhe librat tanë. Një universitet që nuk do të hapej më kurrë për ne. Do të doja që të na kishin marrë jetën në vend të kësaj.

Me një mijë vuajtje, u kthyem në shtëpi. I thashë nënës: “Kishe të drejtë. Do të doja të mos isha gëzuar aq shumë.” Nuk e dija se më e keqja ende nuk kishte ardhur.

Talibanët thanë se asnjë vajzë mbi moshën 15-vjeçare nuk duhet të mbetej e pamartuar. Vajzat po detyroheshin të fejoheshin. Ose talibanët do t’i martonin vetë vajzat, ose babai duhej të gjente dikë për vajzën e tij.

Më dhanë për dikë që nuk kishte arsim dhe nuk dinte as të lexonte e as të shkruante. E qara u bë e vetmja gjë që bëja ditë e natë.

I thashë nënës “Do të ishte më mirë sikur të më varrosje të gjallë.” Familja e dhëndrit donte të më merrte në shtëpinë e tyre. Nëse nuk do ta pranoja, talibanët do ta arrestonin babain tim.

Një ditë, burri im më tha “Nëse e do kaq shumë studimin dhe arsimin, do të marrim pasaportat dhe do të shkojmë në Iran. Unë do të punoj dhe ti mund të studiosh.”

Pasi morëm pasaportat, burri im më kërkoi të shkoja për të marrë vizat. Dola jashtë dhe pashë një taksi, kështu që hipa në të. Mora rrezikun dhe udhëtova vetëm, sepse ishte vetëm rreth 10 minuta larg dhe askush nuk mund të vinte me mua.

Në pikën e kontrollit të talibanëve, më pyetën: “Ku është mahremi yt?” U thashë se burri im kishte shkuar në punë. Ata më çuan në burg.

Kur erdhi burri im, e morën në pyetje dhe e pyetën se ku po shkonte gruaja e tij e vetme. Ai ua shpjegoi situatën. Pastaj e pyetën se çfarë do të bënim në Iran. Kur ai tha “Për arsim”, ata u përgjigjën: “Vdekje arsimit. Kush i ka lejuar gratë të studiojnë?”

Më ofenduan dhe i thanë burrit tim: “Ti je fatkeq dhe e ke bërë edhe këtë grua të varfër fatkeqe.”

Ishin 84 gra të mbajtura në 10 dhoma të vogla pa dritare, rreth një oborri. Edhe pse dhomat ishin të vogla, në secilën prej tyre mbaheshin nga shtatë ose tetë gra dhe kishte vetëm dy krevate. Shumica flinin në dysheme. Tualeti mbante erë shumë të keqe. Ato që kishin mundësi të blinin pilula i merrnin për të fjetur; disa u bënë të varura prej tyre.

Pyeta nëse kishte një telefon që mund ta përdorja dhe më treguan një dhomë. Telefonova burrin tim dhe ai më tha se ishte nxjerrë nga shtëpia. “Vëllezërit e mi më kanë nxjerrë jashtë dhe tani jam në rrugë. Më thonë të zgjedh mes teje dhe tyre. Por unë nuk do të të braktis kurrë, edhe nëse e gjithë bota është kundër teje.”

Kur e ktheva telefonin, roja më tha: “Tani duhet të paguash për të.” U trondita.

Gratë më shpjeguan se, pa para, nuk mund ta përdorësh telefonin. Talibanët u marrin para çdo ditë. Atëherë kuptova pse talibanët përdorin çdo gjë si arsye për t’i burgosur njerëzit. Për para.

Ata i mbanin njerëzit larg familjeve dhe punës së tyre dhe burgosnin persona të pafajshëm për përfitimet e tyre. Secila prej grave, ashtu si unë, ishte burgosur pa ndonjë arsye të vërtetë. Pashë një vajzë të re që ishte burgosur sepse babai i saj e kishte përdhunuar.

Të quajtura, ashtu si unë, “gra të këqija”, jetët tona u shkatërruan. Disa prej tyre nuk kishin familje që t’i priste pas lirimit. Gratë, familjet e të cilave nuk pranojnë t’i marrin përsëri, shpesh i japin fund jetës. Disa detyrohen të martohen me burra të moshuar vetëm për të pasur një çati mbi kokë. Të tjera bëjnë gjithçka që munden për të mbijetuar. Disa shesin drogë, disa shesin trupin e tyre.

Dy gra i dhanë fund jetës brenda burgut ndërsa unë isha aty. Pasi të tjerat kishin rënë në gjumë, ato u varën. Njihja gjithashtu një vajzë tjetër që u hodh para një makine dhe vdiq, sepse pas lirimit kishte mbetur pa shtëpi.

Vëllezërit e burrit tim më etiketuan si një grua të keqe. Asnjëri prej tyre nuk fliste me burrin tim, përveçse për ta tallur. Ai njeri i shkretë i duroi të gjitha. Pas tre muajsh, u lirova nga burgu. Burri im kishte gjetur me shumë vështirësi një vend me qira ku të jetonim. Qiraja ishte e shtrenjtë, por unë isha shtatzënë.

Pasi linda fëmijën tim, pronari na nxori jashtë. Kur djali im ishte dy muajsh, pranë shtëpisë së prindërve të mi kishte një shtëpi të rrënuar dhe ne u zhvendosëm aty. Të gjitha llojet e insekteve kishin zënë vend brenda saj. Nuk kishim zgjidhje tjetër. Nuk mund të merrnim me qira një shtëpi në qytet, sepse qiratë ishin shumë të larta.

Çdo ditë shqetësohesha se çfarë do të sillte e ardhmja jonë. I thashë burrit tim: “Edhe unë do të të ndihmoj dhe do të punoj.”

Ndiqja një kanal gatimi online dhe mësova vetë se si të përgatis ëmbëlsira. Fillova me ëmbëlsira me kosto të ulët dhe shumë shpejt e përvetësova këtë zanat. I çoja ëmbëlsirat e mia nëpër dyqane për t’i shitur. Por nuk kisha buxhet dhe kisha nevojë për ndihmë.

Disa organizata të huaja mbështesin gratë që duan të bëhen të pavarura financiarisht. Por talibanët krijuan një dhomë tregtie përmes së cilës ata shpërndajnë këtë mbështetje. Nëse do të kisha 2 mijë afganë, ata do të më jepnin një hua për të blerë materialet që më duheshin për pjekje. Por unë duhej të ktheja 2 mijë afganë (rreth 22.50 funte) çdo muaj dhe nuk i kisha këto para.

Kështu që, për momentin, ëndrra ime për të pasur një kafene dhe për të shitur ëmbëlsira mbetet vetëm një ëndërr. Një ditë do ta realizoj: do të jetë një punë për veten time dhe për vajzat si unë, sepse u kam premtuar ëndrrave të mia se do t’i arrij.

Shabnam

Përkthyer nga Anita Vllahiu

Artikullin origjinal mund ta gjeni këtu