Më 19 qershor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës hapi ekspozitën “Sy më Sy”, një projekt që sjell para publikut skanime të irisit të syve të grave dhe burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, familjarëve të tyre, si dhe portrete të personave që kanë gjetur forcën të flasin publikisht për përvojat e tyre.
Ekspozita synon të krijojë një hapësirë reflektimi mbi historitë e mbijetesës dhe traumës, duke i vendosur të mbijetuarit në qendër të rrëfimit dhe duke i ftuar vizitorët të shohin përtej imazhit dhe të dëgjojnë përtej fjalëve. Përmes saj, përcillet një thirrje për njohje, dinjitet dhe kujtesë kolektive për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.
Përmes këtij projekti, QKRMT nderon guximin e të mbijetuarve, sfidon heshtjen dhe stigmatizimin, dhe thekson se çdo histori e dëgjuar dhe e pranuar përbën një hap drejt drejtësisë dhe shërimit shoqëror.
Drejtorja e QKRMT-së, Dr. Feride Rushiti, tha se emri i ekspozitës nuk është zgjedhur rastësisht, pasi synon të vendosë publikun përballë të vërtetës së dhimbshme të të mbijetuarve. “Përmes syve dhe përmes kësaj ekspozite ne arrijmë të tregojmë dhimbjen e shumë të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë; arrijmë të shohim edhe forcën, frikën, por edhe guximin, dhe nganjëherë edhe humbjen e atyre që nuk janë më prezentë, si dhe shpresën e atyre që vazhdojnë të luftojnë përkundër sfidave me të cilat ballafaqohen çdo ditë. Përmes skanimit të iriseve dhe rrëfimeve personale kjo ekspozitë sjellë pranë nesh histori njerëzore që kanë mbetur me vite të fshehura në heshtje. Në këtë ekspozitë shohim edhe portretin e grave dhe burrave që patën guximin e jashtëzakonshëm për të thyer heshtjen.”, shtoi ajo.
Venesa Sylejmanit, vajza e së mbijetuares së dhunës seksuale gjatë luftës, Shyhrete Tahiri, tregoi për plagët e padukshme që trauma lë te fëmijët dhe familjet e të mbijetuarve, duke kërkuar që ata të mos shihen vetëm si viktima, por si zëra të ndryshimit. “Sot qëndroj para jush si një fëmijë i luftës, ashtu si në çdo ditë tjetër dhe në çdo ngjarje tjetër. Por, sot qëndroj para jush dhe ju shoh përmes syve të një fëmije që dikur ishte i traumatizuar, i heshtur dhe i padëgjuar. Por tani, si një fëmijë që e ka shndërruar dhimbjen, traumën dhe vuajtjen në diçka që nuk është më e heshtur, nuk është më e thyer, por që dëshiron të dëgjohet.” ka thënë Venesa.