Inspektorati Policor i Kosovës ka suspenduar 3 zyrtarë policorë në Prishtinë nën dyshimin se kanë ngacmuar seksualisht një qytetare.
Sipas njoftimit të IPK-së, ngjarja ka ndodhur në lagjen Lakrishte të Prishtinës, pas mesnatës së 15 tetorit.
Sipas IPK-së, policët dyshohen se e kishin udhëzuar në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual, raporton Kallxo.com.
“Rasti raportohet të ketë ndodhur më 15 tetor 2026 pas mesnatës, në afërsi të rreth rrotullimit në lagjen Lakërishte në Prishtinë. Sipas pretendimeve të ankueses, deri sa e njëjta ishte duke drejtuar veturën, ajo ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë, të cilët më pas i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.” – thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK ka konfirmuar se për këtë rast ka pasë reagim edhe nga Prokuroria e Shtetit.
“Lidhur me rastin, me udhëzim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedura penale për veprat e dyshuara, ndërsa rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt dhe në përputhje me procedurat ligjore. Për të ndriçuar plotësisht rrethanat e këtij rasti dhe për të sqaruar pretendimet e ngritura, IPK do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit.” – thuhet tutje në reagim.