Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin “Zbatimi i Programit Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave në Kosovë (Analizë e kornizës ligjore, praktikës gjyqësore dhe zbatimit institucional)”, ku evidentohen mangësi serioze ligjore dhe institucionale që po pengojnë funksionimin efektiv të këtij mekanizmi.
Në tryezën e organizuar nga IKD dhe RrGK me rastin e publikimit të raportit, hulumtuesja e lartë e IKD-së, Arrita Rezniqi, tha se aktualisht mungon një akt nënligjor valid që do të rregullonte organizimin, standardet, monitorimin dhe vlerësimin e Programit Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave. Sipas saj, megjithëse ligji i ri ka paraparë që Qeveria t’i nxjerrë aktet përkatëse brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.
Rezniqi theksoi gjithashtu se ekziston paqartësi institucionale lidhur me organin përgjegjës për hartimin dhe koordinimin e këtij akti. Sipas vlerësimit të IKD-së, përgjegjësia duhet t’i takojë Ministrisë së Drejtësisë, përmes Zyrës së Koordinatorit Kombëtar për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, e jo Ministrisë së Shëndetësisë, pasi programi është pjesë e sistemit të drejtësisë penale dhe ka për qëllim rehabilitimin e kryerësve, ndryshimin e sjelljes së tyre dhe parandalimin e përsëritjes së dhunës.
Raporti nxjerr në pah edhe probleme serioze në praktikën gjyqësore. Nga analiza e 50 aktgjykimeve, IKD ka konstatuar se në asnjë rast gjykatat nuk kanë urdhëruar kryerësit e dhunës ndaj grave të ndjekin Programin Kombëtar, edhe pse kjo mundësohet nga neni 56 i Kodit Penal të Kosovës.
Sipas Rezniqit, shumica e rasteve të dhunës në familje përfundojnë me dënime me kusht, çka do të thotë se kryerësit vazhdojnë të qëndrojnë në komunitet dhe potencialisht mbeten në kontakt me viktimat. Në këto raste, programet rehabilituese mund të kenë rol kyç në parandalimin e përsëritjes së dhunës.
Sipas IKD gjykatat duhet të marrin më seriozisht në konsideratë rrethanat personale dhe familjare të kryerësve gjatë shqiptimit të dënimeve, në mënyrë që pjesëmarrja në Programin Kombëtar të përdoret si masë shtesë rehabilituese. Po ashtu, prokurorët, mbrojtësit e viktimave dhe akterët e tjerë duhet të përdorin më aktivisht bazën ekzistuese ligjore për të kërkuar referimin e kryerësve në këtë program.
Gjatë procesit të konsultimeve për raportin, përfaqësues të gjyqësorit kanë propozuar edhe ndryshime në Kodin Penal, në mënyrë që pjesëmarrja në Programin Kombëtar të bëhet masë e detyrueshme në rastet e dënimeve për dhunë në familje dhe dhunë ndaj grave.