Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Kush janë blerësit e vajzave afgane?

QIKA 24.6.2026

Çmimi i një vajze në Afganistan sot është rreth 3,200 dollarë.

Ky është çmimi i zakonshëm për një fëmijë (që konsiderohet si nuse) në një vend ku uria ka përfshirë më shumë se një të dhjetën e popullsisë, ku ndihma ndërkombëtare ka rënë në 70% nën nivelet e vitit 2025 dhe ku regjimi i talibanëve për të tretin vit me radhë janë duke ua hequr sistematikisht grave dhe vajzave çdo mbrojtje ligjore që dikur e kishin.

Baballarët po i shesin vajzat e tyre dhe dëshpërimi, uria, dhe rënia e ndihmës po rriten. Por dëshpërimi ka qenë gjithmonë shpjegimi dhe, në një moment, shpjegimi shndërrohet në një justifikim që u kushton vajzave jetën. Gjatë dekadave të raportimit mbi konfliktet dhe varfërinë, kam parë se si fraza “nuk kishte zgjidhje tjetër” është përdorur për të kryer një punë të madhe morale në emër të burrave që, në fakt, kishin zgjedhje, por nuk ishin të gatshëm t’i bënin. Djemtë nuk po shiten. Lufta ndaj urisë nuk po bëhet në mënyrë neutrale për sa i përket gjinisë.

Kur një familje vendos se cili fëmijë do të bëhet objekt i transaksionit, kjo është zgjedhje, jo fatkeqësi natyrore. Uria krijon presionin. Baballarët marrin vendimin.

Raportimet mbi këtë krizë, kur ato ekzistojnë, priren të përqendrohen te shitësit. Te varfëria. Te politikat e talibanëve. Te mungesat në financimin nga UNICEF dhe UNHCR. Të gjitha këto janë të vërteta dhe meritojnë të dokumentohen. Megjithatë, ekziston një pyetje që pothuajse nuk shtrohet kurrë dhe mungesa e saj nuk është krejt e rastësishme.

Kush po i blen këto vajza?

Kjo pyetje i vë njerëzit në sikletin që shprehja “mungesë fondesh për ndihmën humanitare” nuk e bën. Ajo kërkon të gjenden, me saktësi, burrat që paguajnë para për të blerë fëmijë për shfrytëzim seksual. Kërkon të pranohet se kjo nuk është thjesht një dështim abstrakt humanitar, por një tregti mes blerësit, shitësit, ku ka transaksione dhe fitime.

Kjo kërkon gjithashtu të përballemi me faktin se kërkesa nuk vjen vetëm nga burrat afganë të varfër brenda të njëjtave fshatra. Ka blerës më të pasur. Ka blerës përtej kufijve. Kjo praktikë ka një shtrirje gjeografike që shkon shumë përtej narrativës së zakoneve lokale dhe dëshpërimit të nxitur nga varfëria.

Martesat e fëmijëve në Afganistan i paraprijnë sundimit të talibanëve. Regjimi aktual thjesht ka hequr çdo pengesë ligjore dhe shoqërore që organizatat humanitare, shoqëria civile afgane dhe qeveria e mëparshme kaluan dy dekada duke u përpjekur ti krijonin. Vajzat që duhej të ishin në shkollë tani janë shndërruar në mall. Mosha minimale për martesë nuk ekziston. Vajzat nuk kanë asnjë mjet mbrojtjeje, asnjë përfaqësues që të flasë në emër të tyre dhe asnjë mundësi për të refuzuar. Ajo që talibanët kanë krijuar nuk është thjesht shtypje. Është një treg i ndërtuar sipas interesave të blerësve.

Në transaksionet më të zakonshme, blerësit janë shpesh burra më të moshuar brenda të njëjtës provincë, ndonjëherë tashmë të martuar, që blejnë një grua të dytë apo të tretë. Kjo pjesë raportohet. Ajo që raportohet shumë më pak është kërkesa që vjen nga shtetet e Gjirit, nga Irani, nga Pakistani dhe nga komunitetet e diasporës afgane, burra me më shumë burime financiare, të gatshëm të paguajnë shumëfishin e çmimit bazë prej 3,200 dollarësh për vajza më të reja ose për vajza me karakteristika të caktuara.

Studiuesit që merren me trafikimin e qenieve njerëzore përgjatë kufirit Afganistan-Pakistan dhe korridorit me Iranin thonë se ky rrjet funksionon dhe se identifikimi i blerësve nuk është i vështirë, nëse vërtet kërkohen. Problemi është se një kërkim i tillë kërkon vullnet politik, të cilin qeveritë e rajonit dukshëm nuk e kanë, ndërsa donatorët perëndimorë nuk po e kushtëzojnë as rindërtimin dhe as angazhimin diplomatik me këtë çështje.

Kriza e urisë e bën edhe më të rëndë edhe më të shpejtë. Familjet që, në rrethana më pak katastrofike, mund të kishin rezistuar, po marrin tani vendime që nuk mund të zhbëhen. Një vajzë e shitur në moshën nëntë apo dhjetëvjeçare në një familje tri provinca larg është veçse e humbur. Ajo nuk do të rikthehet nga ndonjë ndryshim i ardhshëm politik. Dëmi është i menjëhershëm e i përhershëm, dhe po shkaktohet tani, këtë muaj, në përmasa të mëdha.

Gazetarët që raportojnë për krizën humanitare në Afganistan nuk po e injorojnë martesën e fëmijëve. Ajo shfaqet në raportime. Por shpesh paraqitet si kontekst, si një tjetër element në listën e gjatë të abuzimeve të talibanëve, në vend që të trajtohet si pyetja qendrore hetimore që meriton të jetë. Korniza e raportimit është pothuajse gjithmonë e përqendruar te oferta se sa vajza janë të përfshira, sa të varfra janë familjet dhe çfarë thonë rregullat e talibanëve.

Kërkesa e vetme në këtë histori është se kush janë blerësit, nga vijnë, si lëvizin paratë dhe cilat qeveri po zgjedhin të mbyllin sytë. Ky kërkim kërkon burime, qasje dhe raportim që krijon tensione diplomatike. Pikërisht këto tensione shpjegojnë pse një punë e tillë bëhet rrallë.

Shifra prej 3,200 dollarësh do të qarkullojë në titujt e lajmeve, derisa bëhen të ditura të dhënat për urinë. Dhe duhet të qarkullojë. Por një çmim pa një blerës është vetëm statistikë. Diku, ka burra që po bëjnë llogaritë dhe po e konsiderojnë këtë çmim të arsyeshëm. Derisa ata të përballen me të njëjtin nivel shqyrtimi si dekretet e talibanëve dhe kolapsi i ndihmës ndërkombëtare, kjo histori do të vazhdojë të tregohet përgjysmë.

Hollie McKay

Përktheu: Anita Vllahiu

Artikullin e plotë mund ta gjeni këtu