Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

FEG: Vetëm 25.3% e përfituesve të platformës ‘Superpuna’ janë gra

QIKA 26.6.2026

Vetëm 25.3% e përfituesve të cilët aktualisht janë në marrëdhënie aktive të punës nga platforma ‘Superpuna’ janë gra, sipas raportit të Forumit Ekonomik të Grave, që u prezantua tryezën e diskutimit: “Analiza e platformës ‘Superpuna’ dhe ndikimi i saj tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë”.

Nga analiza e të dhënave, të cilat Agjencia e Punësimit i ka nxjerrë nga ‘Superpuna’, shihet se më shumë se 25,000 punëtorë kanë përfituar nga ‘Superpuna’, prej të cilëve 18,838 kanë qenë burra në marrëdhënie aktive të punës dhe 6,365 në marrëdhënie aktive të punës kanë qenë gra.

Etleva Zeneli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, tha se pavarësisht disponueshmërisë së të dhënave bazike sipas gjinisë, mbeten kufizime të rëndësishme në vlerësimin e ndikimit të programit. “Mungesa e të dhënave të ndara sipas gjinisë për përfituesit e subvencionimit e bën të vështirë vlerësimin e shkallës së përfitimit të grave nga mbështetja financiare e ofruar në kuadër të programit ‘Superpuna’, tha ajo.

Kjo analizë thekson sfidat që vazhdojnë të ekzistojnë për gratë ne vendet e punës.  Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave, Saxhide Mustafa, në takim tha se fuqizimi ekonomik nuk matet vetëm me krijimin e vendeve të punës, por me ndikimin real që politikat publike kanë në jetën e qytetarëve.

“Fuqizimi i grave lidhet drejtpërdrejt me pavarësinë, dinjitetin, sigurinë sociale dhe mundësitë që secili individ të marrë pjesë në mënyrë aktive në jetën ekonomike dhe shoqërore. Megjithatë, sot gjithnjë e më shumë po kuptojmë se krijimi i një vendi pune nuk është i barabartë me fuqizimin ekonomik sepse kemi një hendek të madh gjinor në tregun e punës”, shtoi ajo.

Sa i përket përfituesve që vijnë nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptianë, kjo pabarazi bëhet edhe më e theksuar. “Fuqizimi ekonomik i komuniteteve kërkon më shumë politika të përgjegjshme, kërkon politika të drejtuara, të ndjeshme dhe gjithëpërfshirëse”, tha Mustafa.