Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Terapia e konvertimit të personave LGBTQ+ mund të ndëshkohet me burg

QIKA 29.6.2026

Në Angli dhe Uells është propozuar një ligj i ri që ndalon terapinë abuzive të konvertimit të personave LGBTQ+, pasi që autorët e krimit mund të përballen me dënime deri në pesë vjet burg, gjoba të pakufizuara ose të dyja.

Vetëm gjatë tre viteve të fundit janë raportuar 195 raste, ku pjesëtarë të komunitetit LGBTQ+ janë rrahur, përdhunuar dhe janë detyruar t’u nënshtrohen ekzorcizmave të detyruara. Një person madje humbi një gisht si pasojë e dhunës fizike, raporton the Independent.

Praktikat e konvertimit bazohen në bindjen se identitetet LGBTQ+ kanë nevojë për “korrigjim” dhe se orientimi seksual ose identiteti transgjinor mund të ndryshohet përmes abuzimit fizik, seksual, ekonomik dhe psikologjik.

Qeveria tha se legjislacioni i propozuar nuk do të kriminalizojë lirinë e shprehjes së bindjeve për identitetet LGBTQ+ dhe as nuk do të ndalojë bisedat eksploruese apo pyetjet rreth identitetit të një personi. Ajo theksoi se ekziston një “prag i lartë për përgjegjësi penale”, i cili do të zbatohet vetëm ndaj veprimeve të konsideruara abuzive, që synojnë ndryshimin e identitetit të dikujt dhe që shkaktojnë dëme ndaj personit.

Profesionistët shëndetësorë, terapistët dhe këshilltarët do të mund të vazhdojnë të kenë biseda të lira dhe të hapura për seksualitetin dhe identitetin transgjinor me pacientët, tha qeveria.

Në një raport të ri të realizuar nga Galop, organizatë kundër abuzimit, u zbulua se 76% e rasteve janë kryer ose nisur nga anëtarë të familjes, përfshirë 63% nga prindërit.

Ndërkohë, 81% e rasteve përfshijnë praktika shtrënguese dhe kontrolluese të konvertimit, si abuzim, kërcënime, martesa të detyruara ose kufizim dhe mbikëqyrje.

Drejtoresha e Galop, Jasmine O’Connor, tha se organizata “shpesh sheh ndikimet shkatërruese të shkaktuara nga praktikat e konvertimit dhe se boshllëqet ligjore i kanë lënë personat LGBT+ të pambrojtur ndaj formave të fshehta dhe të sofistikuara të abuzimit.”

Olivia Bailey, Ministre për Barazinë, tha se “Praktikat e konvertimit bazohen në bindjen e rreme se të qenit LGBT+ është turp dhe mund të ndryshohet me forcë.”

“Njerëzit që janë gay ose transgjinorë nuk janë “të prishur” dhe nuk kanë nevojë “të rregullohen”. Këto praktika janë abuzim, dhe çdo ditë e kaluar pa ndalim i lë njerëzit në rrezik të dëmeve serioze”.