Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Mënyra se si flasim për vetëvrasjen ka rëndësi

QIKA 10.9.2026

Shtatori është Muaji i Ndërgjegjësimit për Parandalimin e Vetëvrasjes. Por për vetëvrasjen duhet të flasim gjatë gjithë vitit – haptazi, drejtpërdrejt dhe pa e rrethuar bisedën me turp e frikë.

Të flasësh për vetëvrasjen nuk e shkakton vetëvrasjen. Përkundrazi, heshtja, stigma dhe frika për ta përmendur fjalën mund ta bëjnë shumë më të vështirë që dikush të tregojë se nuk është mirë.

Shpesh, kur dëgjojmë fjalën “vetëvrasje”, imagjinojmë menjëherë një person që dëshiron të vdesë, ka një plan dhe synon t’i japë fund jetës. Por mendimet vetëvrasëse nuk shfaqen gjithmonë në këtë formë.

Ato mund të shtrihen në një spektër. Dikush mund të mendojë aktivisht për t’i dhënë fund jetës, të ketë një plan dhe qëllim për të vepruar. Por mund të ketë edhe mendime më pasive, si:

“Do të doja të flija dhe të mos zgjohesha më.”

“Secili do të ishte më mirë pa mua.”

“Nuk dua domosdoshmërisht të vdes. Thjesht nuk dua të ekzistoj tani.”

Dikush mund të përjetojë mendime vetëvrasëse pa pasur një plan apo qëllim për të vepruar sipas tyre. Kjo nuk do të thotë se këto mendime duhen shpërfillur. Por as nuk do të thotë se duhet të biem menjëherë në panik sa herë që dikush flet për vdekjen.

Mënyra se si reagojmë ka rëndësi.

Nëse përgjigjja jonë është gjithmonë paniku, skenari më i keq ose trajtimi i menjëhershëm i personit si të ishte në një situatë emergjente vetëm sepse na ka treguar se po përjeton mendime vetëvrasëse, mund t’i përcjellim pa dashje një mesazh: “Ndoshta nuk është dashur të të tregoja.”

T’i marrësh seriozisht mendimet vetëvrasëse nuk do të thotë ta bësh dikë të pendohet që ka qenë i sinqertë.

Mund të qëndrojmë të qetë, të dëgjojmë, të mos gjykojmë dhe të pyesim drejtpërdrejt se çfarë po përjeton personi. Kjo krijon hapësirë për bisedë, në vend se të krijojë një pengesë që e bën dikë të ketë frikë të flasë përsëri.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse mendimet vetëvrasëse nuk janë gjithmonë të thjeshta. Ndonjëherë ato lidhen me dëshirën që gjithçka të ndalet, me dëshirën për t’iu larguar dhimbjes, me ndjenjën e të qenit i bllokuar, pa shpresë ose i paaftë për ta imagjinuar një të ardhme ndryshe.

Një person mund të ketë njëkohësisht mendime për vdekjen dhe një pjesë të vetes që dëshiron dëshpërimisht të jetojë. Mund të ndihet i lodhur nga jeta dhe, në të njëjtën kohë, të mos dëshirojë të vdesë. Përjetimi i mendimeve vetëvrasëse mund të jetë kontradiktor, i ndryshueshëm dhe i vështirë për t’u shpjeguar.

Sigurisht, ka edhe raste kur dikush ka mendime vetëvrasëse, plan dhe qëllim konkret për të vepruar. Në këto raste, siguria e personit duhet të jetë prioritet dhe është e rëndësishme të kërkohet menjëherë mbështetje profesionale dhe ndihmë emergjente kur ekziston rrezik i menjëhershëm.

Ka një dallim mes reagimit me urgjencë ndaj një rreziku real dhe reagimit me frikë vetëm ndaj fjalës “vetëvrasje”.

Prandaj, në vend se të supozojmë se e dimë çfarë nënkupton dikush kur flet për vetëvrasjen, mund ta pyesim.

“Kur thua se nuk dëshiron të jesh më këtu, çfarë do të thuash?”

“A po mendon për të vdekur?”

“A ke menduar të veprosh sipas këtyre mendimeve?”

Pyetjet e drejtpërdrejta nuk ia “fusin” idenë e vetëvrasjes dikujt në kokë. Ato mund të hapin një derë që heshtja e ka mbajtur të mbyllur.

Gjuha që përdorim ka peshë

Fjalët me të cilat flasim për vetëvrasjen nuk janë neutrale. Ato ndikojnë në mënyrën se si e kuptojmë vetëvrasjen, si reagojmë ndaj njerëzve që e përjetojnë atë dhe sa të sigurt ndihen njerëzit për të folur rreth saj.

Ende përdorim shprehjen “kreu vetëvrasje”. Por vetëvrasja nuk është krim. Folja “kreu” mbart një histori të kriminalizimit, fajit dhe turpit, të cilat nuk kanë vend në mënyrën se si flasim për vdekjen e dikujt.

E njëjta vlen edhe për mënyrën se si flasim për tentativat për vetëvrasje. Shprehje si “tentativë e suksesshme” apo “tentativë e pasuksesshme” e vendosin suksesin dhe dështimin mbi faktin nëse dikush ka jetuar apo ka vdekur.

Në vend të tyre, mund të themi se dikush “vdiq nga vetëvrasja”, “i mbijetoi një tentative për vetëvrasje” ose “tentoi të vetëvritej”.

Mund të duken si ndryshime të vogla në gjuhë. Por kur flasim për diçka që tashmë është e rrethuar nga kaq shumë turp, stigmë dhe frikë, fjalët që zgjedhim kanë rëndësi.

Nuk kemi nevojë ta bindim dikë që të ndihet ndryshe

Kur dikush po përjeton mendime vetëvrasëse, reagimi ynë i parë mund të jetë përpjekja për ta bindur se ka arsye për të jetuar.

“Por ke kaq shumë njerëz që të duan.”

“Ke kaq shumë arsye për të jetuar.”

“Gjërat do të përmirësohen.”

Ndonëse këto fjalë mund të vijnë nga kujdesi, ato mund ta bëjnë dikë të ndihet edhe më i vetmuar në atë që po përjeton. Kur dikush është në dhimbje, nuk ka gjithmonë nevojë që ne ta bindim se nuk duhet të ndihet ashtu.

Ndonjëherë, gjëja më e rëndësishme është të jemi të gatshëm të qëndrojmë pranë asaj që po na tregon — pa gjykim, pa turp dhe pa e bërë dhimbjen e tij diçka që duhet ta justifikojë apo mbrojë.

Kjo nuk do të thotë se duhet të bëhemi terapistë të njëri-tjetrit ose të marrim përsipër përgjegjësinë e plotë për ta mbajtur dikë gjallë. Do të thotë të vërejmë, të pyesim, të dëgjojmë, t’i marrim njerëzit seriozisht dhe t’i ndihmojmë të lidhen me mbështetjen që u nevojitet.

Sepse nuk duam që njerëzit të flasin për vetëvrasjen vetëm pasi të kenë arritur në një pikë krize. Duam që ata të ndihen mjaftueshëm të sigurt për të folur shumë më herët.

Nuk mund ta ndërtojmë një shoqëri ku askush nuk mendon për vetëvrasjen. Por mund të ndërtojmë një shoqëri ku askush nuk duhet ta mbajë vetëm peshën e këtyre mendimeve.

Prandaj, të flasësh për vetëvrasjen nuk është thjesht çështje e zgjedhjes së fjalëve të duhura. Është çështje e kujdesit që i ofrojmë njëri-tjetrit dhe e botës që ndërtojmë rreth nesh.

Sepse heshtja nuk i mban njerëzit gjallë. Ndonjëherë, ajo që i mban gjallë është mundësia për të thënë të vërtetën — dhe dikush që është i gatshëm ta dëgjojë.

Nëse ti ose dikush që njeh po përjeton mendime vetëvrasëse, nuk je vetëm.  

Kërko ndihmë te: Linja e Jetës, e cila ofron mbështetje emocionale dhe psikologjike në Kosovë çdo ditë, nga ora 18:00 deri në 22:00.

Në rast të një rreziku të menjëhershëm, telefono Policinë e Kosovës në 192 ose Urgjencën Mjekësore në 194.

Teksti është marrë nga: Meredith
Referencat

National Institute of Mental Health (NIMH), Frequently Asked Questions About Suicide.

World Health Organization (WHO), Preventing suicide: a resource for media professionals, update 2023.

National Institute of Mental Health (NIMH), Warning Signs of Suicide.

National Institute of Mental Health (NIMH), 5 Action Steps to Help Someone Having Thoughts of Suicide.