Anëtarët e Amnesty International në mbarë botën po i bëjnë thirrje guvernatorit të Tennessee, Bill Lee, që të ndalojë ekzekutimin e Christa Pike, e planifikuar për 30 shtator.
Christa Pike, 50 vjeç, pritet të ekzekutohet me injeksion vdekjeprurës në Tennessee për vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer në vitin 1995. Pike ishte 18 vjeç në kohën e vrasjes dhe u dënua me vdekje në vitin 1996.
Amnesty International ka nisur një thirrje ndërkombëtare për ndalimin e ekzekutimit dhe i kërkon guvernatorit Lee që t’ia zëvendësojë Pike dënimin me vdekje me një dënim tjetër. Organizata e kundërshton dënimin me vdekje në të gjitha rastet dhe e konsideron atë shkelje të së drejtës për jetë dhe një dënim mizor, çnjerëzor dhe poshtërues.
Sipas Amnesty International, Pike ka përjetuar përdhunim, dhunë seksuale dhe fizike, abuzim dhe neglizhencë gjatë fëmijërisë. Organizata thotë se shteti kishte dijeni për abuzimin, por nuk arriti ta mbronte atë. Sipas Amnesty-t, gjatë gjykimit, avokatët e caktuar nga gjykata nuk paraqitën para jurisë një pjesë të rëndësishme të dëshmive lidhur me përvojat e saj të abuzimit dhe pasojat psikologjike të tyre.
Amnesty International e vë theksin edhe te mosha e Pike në kohën e krimit. Organizata i referohet kërkimeve shkencore që tregojnë se zhvillimi i trurit dhe pjekuria psikologjike e emocionale vazhdojnë edhe gjatë të 20-ave. Amnesty përmend gjithashtu një gjykatës të Gjykatës së Apelit të SHBA-së për Qarkun e Gjashtë, i cili kishte deklaruar se do ta anulonte dënimin me vdekje të Pike-s, por ishte penguar nga çështjet procedurale.
Pike është e vetmja nga të akuzuarit që u dënua me vdekje
Vrasja ndodhi më 12 janar 1995 në Knoxville, Tennessee. Slemmer dhe Pike ishin pjesë e të njëjtit program trajnimi për të rinj. Pike dhe i dashuri i saj i atëhershëm, Tadaryl Shipp, i cili ishte 17 vjeç në kohën e krimit, u dënuan për vrasjen.
Shipp u dënua me burgim të përjetshëm me mundësi lirimi me kusht. Një vajzë tjetër 18-vjeçare që u përfshi në rast mori gjashtë vjet provë dhe iu njoh koha e kaluar në paraburgim. Pike ishte e vetmja nga të tre që mori dënimin me vdekje.
Më 28 shtator, guvernatori i Tennessee, Bill Lee, refuzoi kërkesën e Pike-s për falje dhe deklaroi se nuk do të ndërhyjë për ta ndaluar ekzekutimin. Sipas tij, pas shqyrtimit të kërkesës dhe të rastit, ai do ta mbajë në fuqi dënimin e dhënë nga shteti i Tennessee.
Avokatët e Pike-s kanë kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Supreme të SHBA-së për ta pezulluar ekzekutimin. Sipas Associated Press, kërkesa e tyre lidhet ndër të tjera me moshën e Pike-s në kohën e krimit, historinë e abuzimit seksual dhe problemet e shëndetit mendor të dokumentuara në rast.
Nëse ekzekutimi kryhet, Pike do të jetë gruaja e parë e ekzekutuar nga shteti i Tennessee në më shumë se 200 vjet. Ajo gjithashtu do të jetë personi i parë që Tennessee ekzekuton në epokën moderne të dënimit me vdekje për një krim të kryer në moshën 18-vjeçare.
Amnesty International vazhdon t’i bëjë thirrje guvernatorit Lee që të ndalojë ekzekutimin e Pike-s, duke e lidhur rastin me kundërshtimin e saj më të gjerë ndaj dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.