Policia turke ka ndaluar dhjetëra persona gjatë një serie bastisjesh në bare të komunitetit LGBTQ+ dhe nëpër banesat e aktivistëve, në atë që organizatat për të drejtat e njeriut e kanë përshkruar si një zgjerim të presionit shtetëror ndaj komunitetit LGBTQ+ dhe shoqërisë civile.
Bastisjet u zhvilluan gjatë fundjavës që lamë pas në 12 provinca të Turqisë, në kuadër të një fushate të qeverisë turke të quajtur “Familja ime është e sigurt”. Sipas autoriteteve, fushata synon mbrojtjen e vlerave familjare dhe është pjesë e një politike më të gjerë që quhet “Dekada e Familjes”.
Sipas Prokurorisë së Stambollit, gjatë operacioneve janë ndaluar 26 persona, ndërsa në një hetim të veçantë në Ankara, 21 persona të tjerë janë ndaluar në lidhje me organizatën LGBTQ+ Kaos GL.
Kaos GL ka deklaruar se numri i aktivistëve të ndaluar është 50, duke bërë të ditur se më shumë se 10 prej tyre janë marrë pas bastisjeve në banesat e tyre, raporton BBC News.
Organizata ka raportuar gjithashtu se autoritetet kanë bllokuar disa faqe interneti dhe llogari në rrjetet sociale të organizatave LGBTQ+. Sipas Kaos GL, autoritetet e kanë akuzuar organizatën për publikimin e përmbajtjeve të cilësuara si “të pahijshme”, të cilat mund të jenë të qasshme nga fëmijët. Autoritetet kanë kërkuar mbylljen e llogarisë së Kaos GL në platformën X, si dhe të llogarive të rreth 15 organizatave të tjera LGBTQ+.
Presioni ndaj komunitetit LGBTQ+ është shoqëruar edhe me arrestime të reja gjatë protestave.
Të martën, dhjetëra persona u mblodhën përpara gjykatës kryesore të Stambollit, duke kërkuar lirimin e aktivistëve të ndaluar gjatë fundjavës. Protestuesit brohoritën “Rroftë lufta për liri!” dhe kërkuan lirimin e të ndaluarve.
Policia ndërhyri dhe bëri disa arrestime pasi protestuesit shpalosën një pankartë me mbishkrimin “Të jesh LGBTQ nuk është krim”.
“Ajo që po shohim tani është thellësisht shqetësuese”, tha një prej protestuesve për agjencinë AFP.
Ministri turk i Drejtësisë, Akin Gürlek, ka deklaruar se në kuadër të fushatës janë nisur procedura ligjore ndaj më shumë se 160 personave, si dhe ndaj një numri organizatash dhe kompanish në mbarë Turqinë.
Shoqata Turke për të Drejtat e Njeriut ka akuzuar qeverinë se po e përdor fushatën për të shënjestruar komunitetin LGBTQ+.
“Emri i vërtetë i këtij operacioni nuk është ‘Familja ime është e sigurt’; ai është diskriminim i udhëhequr nga shteti, politikë e frikës dhe shpërbërje e shoqërisë civile”, deklaroi organizata në platformën X.
Zhvillimet kanë shkaktuar shqetësim edhe në nivel ndërkombëtar.
Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Michael O’Flaherty, tha se është i shqetësuar për raportimet mbi arrestimet, bastisjet dhe bllokimin e faqeve të internetit dhe llogarive në rrjetet sociale që kanë në shënjestër organizatat LGBTI dhe avokuesit për të drejta të njeriut në Turqi.
Marrëdhëniet mes personave të të njëjtit seks nuk janë të kriminalizuara në Turqi, por martesat mes personave të të njëjtit seks nuk njihen ligjërisht. Organizatat e të drejtave të njeriut raportojnë prej vitesh për diskriminim dhe presion ndaj komunitetit LGBTQ+.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka përdorur në të kaluarën gjuhë denigruese ndaj personave LGBTQ+, duke i cilësuar si “perversë” dhe duke i lidhur me rënien e numrit të lindjeve në vend.