Për të gjashtin vit me radhë, festivali “Shliroj Cicat” mbahet nga data 20 deri më 23 tetor, duke e vazhduar misionin për ndërgjegjësimin mbi kancerin e gjirit dhe rëndësinë e zbulimit të hershëm. Nën temën “Ushqeje Veten”, edicioni i sivjetmë sjell një program të pasur me aktivitete që ndërthurin artin, kulturën, informimin dhe aktivizmin, duke krijuar hapësira për reflektim, shprehje artistike dhe diskutim.
Programi i këtij edicioni përfshin prodhimin e zinave, rezidencë artistike, yoga, aktivitete me qeramikë, gatim me kuzhiniere, punëtori pikturimi me të rinj, biseda me ekspertë dhe mbledhjen e sytjenave. Përmes këtyre aktiviteteve, festivali synon të nxisë biseda të hapura për shëndetin e gjirit, vetëtestimin, mamografinë dhe marrëdhënien me trupin, duke sfiduar njëkohësisht paragjykimet dhe normat patriarkale që ndikojnë në mënyrën se si gratë e përjetojnë dhe e shprehin trupin e tyre.
Që nga edicioni i parë, “Shliroj Cicat” vazhdon të shërbejë si një platformë që bashkon artin, informimin dhe solidaritetin, duke e trajtuar shëndetin e gjirit përtej kornizave tradicionale të ndërgjegjësimit dhe synon të krijojë një hapësirë gjithëpërfshirëse ku kujdesi për veten, njohja e trupit dhe çlirimi nga paragjykimet bëhen pjesë e një bisede të përbashkët.
Agjendën e plotë të festivalit mund ta gjeni këtu