Bazuar në analizën e të dhënave nga 28 vende, UN Women vlerëson se 11.7 milionë gra dhe vajza të tjera mund të përballen me pasiguri ushqimore deri në fund të vitit 2026, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndërprerjet në transportin detar rrisin kostot e ushqimit, energjisë, plehrave kimike dhe transportit. Sipas raportit, gratë dhe vajzat përbëjnë 53% të rreth 22 milionë personave shtesë që mund të preken nga pasiguria ushqimore në këto 28 vende.
Këto vlerësime vijnë në një kohë kur rreth 208 milionë gra dhe vajza në këto vende tashmë përballen me pasiguri ushqimore ose kequshqyerje.
Në publikimin “Gender Alert: Food Security Risks of the Middle East Escalation for Women and Girls”, të publikuar këtë muaj, UN Women analizon ndikimin e përshkallëzimit në Lindjen e Mesme dhe të ndërprerjeve të transportit përmes Ngushticës së Hormuzit në sigurinë ushqimore të grave dhe vajzave.
Raporti thekson se rritja e kostove të energjisë, plehrave kimike dhe transportit ndikon jo vetëm në çmimin e ushqimeve të importuara, por edhe në prodhimin bujqësor dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare. Këto pasoja rëndojnë veçanërisht mbi vendet që tashmë përballen me konflikte, zhvendosje të popullsisë, varfëri dhe pasiguri ushqimore.
Sipas analizës, deri në fund të dhjetorit 2026, 11.7 milionë gra dhe vajza të tjera mund të përballen me pasiguri ushqimore. Në skenarin më të rëndë, numri mund të arrijë në 20.4 milionë, vetëm si pasojë e rritjes së çmimeve të ushqimit.
Raporti nënvizon se pasojat e krizës nuk i prekin në mënyrë të barabartë të gjithë. Gratë përgjithësisht kanë më pak qasje në punësim të sigurt, të ardhura të pavarura, tokë, kredi dhe shërbime financiare, ndërsa mbajnë pjesën më të madhe të përgjegjësive të kujdesit të papaguar.
Kur ushqimi bëhet më i shtrenjtë, ato mund të reduktojnë konsumin e tyre ushqimor, të zgjedhin shujta më pak ushqyese ose të shpenzojnë më shumë kohë për të siguruar ushqimin për familjet e tyre. Për gratë që punojnë në bujqësi, rritja e kostove të prodhimit mund të nënkuptojë gjithashtu më pak të ardhura dhe më pak mundësi punësimi.
Sudani dhe Sudani i Jugut renditen ndër vendet më të ekspozuara ndaj rreziqeve të kombinuara. Afganistani, Jemeni, Somalia, Haiti, Etiopia dhe Palestina gjithashtu përballen me rreziqe të larta, të lidhura me faktorë si pasiguria ekzistuese ushqimore, zhvendosja dhe mungesa e financimit humanitar.
Raporti rekomandon që qeveritë, organizatat humanitare dhe donatorët të garantojnë qasjen e grave dhe vajzave në ushqim, ndihmë financiare, shërbime shëndetësore dhe mbështetje për jetesën. Gjithashtu, kërkon që të dhënat për sigurinë ushqimore të tregojnë jo vetëm gjendjen e familjeve, por edhe mënyrën se si ushqimi dhe burimet shpërndahen brenda tyre.
Lexoni raportin e plotë këtu.