Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

AGK dhe RrGGK raportojnë në Polici kërcënimet ndaj aktivistes Anita Nikaj

QIKA 3.11.2026

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) kanë raportuar në Policinë e Kosovës rastin e kanosjeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme ndaj ish-gazetares dhe aktivistes feministe, Anita Nikaj.

Nikaj, së bashku me Drejtoren Ekzekutive të AGK-së, Getoarbë Mulliqi, dhe juristin e këtij asociacioni, Yll Zekaj, është paraqitur sot në Policinë e Kosovës për të dorëzuar kallëzim penal lidhur me kërcënimet e drejtuara ndaj saj.

Ky veprim vjen disa ditë pasi RrGGK, përmes një deklarate publike, dënoi fushatën e vazhdueshme denigruese dhe linçimin publik ndaj Nikajt.

Në reagimin e tyre, RrGGK kishin shprehur shqetësim për sulmet e përsëritura, gjuhën fyese dhe përpjekjet për ta diskredituar aktivisten për shkak të angazhimit të saj në protestat e organizuara pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Që nga fillimi i protestave, aktivistet, aktivistët dhe protestuesit në Prishtinë dhe në komunat e tjera të Kosovës janë përballur me gjuhë të urrejtjes, sulme dhe fushata denigruese, të cilat kanë synuar delegjitimimin e protestës dhe diskreditimin e personave që kanë kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për dhunën ndaj grave.

Në reagimin e sotëm, AGK dhe RrGGK u kanë bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që ta trajtojnë rastin me seriozitet dhe urgjencë, të hetojnë kërcënimet dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas tyre.