Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, dje janë raportuar tetë raste të dhunës në familje, katër prej të cilave në Prishtinë.
Sipas raportit të PK-së, një grua ka raportuar se në vazhdimësi ka pasur dhunë psikike nga bashkëshorti, me të cilin nuk bashkëjeton që disa muaj. I dyshuari pas arrestimit është dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër në Prishtinë, viktima ka raportuar se para disa kohe është kanosur nga ish-bashkëshorti dhe se ai posedonte armë në shtëpi.
Dhunë psikike e kanosje ka raportuar edhe një grua në Prishtinë nga bashkëshorti i saj, i cili po ashtu është dërguar në mbajtje. Ndërsa edhe një i dyshuar, bashkëshort, është arrestuar por është liruar në procedurë të rregullt pasi u raportua nga viktima për dhunë fizike.
Policia njoftoi tutje se në Gllogoc është arrestuar një i dyshuar për kanosje të bashkëshortes dhe është dërguar në mbajtje. E, në Obiliq një grua raportoi se bashkëshorti po i shkakton dhunë psikike. Policia nuk e ka hasur të dyshuarin në vendngjarje, ndërsa rastin po e heton.
Në Pejë, një grua ka raportuar të premten se ishte ndarë prej disa muajsh nga bashkëshorti dhe se procedura e shkurorëzimit është në proces gjyqësor, por se i dyshuari po i dërgon mesazh dhe ka frikë nga ai.
E një rast dhune në familje u paraqit në stacionin në Malishevë ku u raportua për fjalosje mes nuses dhe vjehrrit. Pas intervistimit, të dy janë liruar në procedurë të rregullt, raporton Koha.
Numër i ngjashëm i rasteve është raportuar edhe një ditë më parë, më 30 tetor, ku në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë janë strehuar për një natë nëntë raste të dhunës në familje.
Për këtë ka njoftuar Elmedina Sejdiu, punëtore sociale në këtë qendër.
Ajo thekson se pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, ka rritje të numrit të grave që kanë kërkuar strehim, tha ajo për Radio Dukagjini.