Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimet me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, të dënuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Në vendimin e publikuar të hënën, Apeli ka vërtetuar edhe dënimin me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, gjithashtu të dënuar në këtë rast, raporton Koha.
Gjykata ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të tre të akuzuarve, duke lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 6 korrik 2026.
Sipas arsyetimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale dhe është i qartë, i kuptueshëm dhe në përputhje me arsyetimin e dhënë.
Si rrethana rënduese, Gjykata ka vlerësuar moshën e re të Liridona Ademajt, cenueshmërinë e saj si viktimë, planifikimin e detajuar të vrasjes, si dhe sjelljen e të dënuarve pas kryerjes së krimit. Në veçanti, është përmendur vazhdimi i aktiviteteve të tyre të zakonshme dhe argëtuese, pa shfaqur dhimbje për viktimën.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën Supreme brenda 30 ditësh nga pranimi i tij.
Vendimi është mirëpritur nga avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, i cili ka bërë të ditur se do të paraqesë ankesë në Gjykatën Supreme me kërkesë për ashpërsimin e dënimit ndaj Kushtrim Kokallës. Ndërkaq, avokati i Naim Murselit, Shemsedin Piraj, ka deklaruar se do të vendosin nëse do të ankohen në Supreme, si shkallë e fundit, pasi ta pranojnë vendimin e Apelit.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës, teksa ndodhej në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murselin, tashmë të dënuar, dhe dy fëmijët e tyre.