Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Raporti i inspektimit evidenton shkelje dhe neglizhencë nga QPS-ja në Pejë në rastin e Arlinda Zekajt

QIKA 16.11.2026

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet e raportit të inspektimit të jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekaj.

Sipas raportit, gjatë trajtimit të rastit janë evidentuar një sërë shkeljesh dhe mangësish institucionale, përfshirë mosrespektimin e afateve gjyqësore, neglizhencën në përmbushjen e detyrave zyrtare, mungesën e monitorimit të rastit dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale.

Inspektimi ka konstatuar se QPS-ja kishte dorëzuar raportin në Gjykatë më 5 tetor 2026, jashtë afatit shtatëditor të përcaktuar me aktvendimin e 24 shtatorit 2026. Po ashtu, menaxherja e rastit nuk kishte marrë pjesë në seancën gjyqësore të së njëjtës datë, pa arsyetim të dokumentuar.

Raporti evidenton gjithashtu se QPS-ja nuk kishte realizuar monitorimin e kërkuar pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të 7 shtatorit 2026, si dhe nuk kishte zbatuar procedurat standarde të menaxhimit të rastit, përfshirë plotësimin e formularëve për kontaktet dhe hartimin e Planit Individual të Shërbimeve. Përgjegjësi është konstatuar edhe për mungesën e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale.

Në bazë të këtyre gjetjeve, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K.

Ndër rekomandimet e tjera drejtuar Komunës së Pejës janë rritja urgjente e numrit të punonjësve socialë të licencuar dhe zhvendosja e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, me qëllim të garantimit të pavarësisë profesionale të QPS-së dhe ndarjes së qartë të përgjegjësive ndërmjet dy institucioneve.

Raporti kërkon gjithashtu mbikëqyrje të vazhdueshme dhe vizita të rregullta monitoruese për fëmijën e vendosur në strehimore, koordinim të shërbimeve me institucionet përkatëse, përdorim të formularëve standardë dhe trajnime shtesë për stafin, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje.

Ministria i ka kërkuar Komunës së Pejës zbatimin pa vonesë të rekomandimeve dhe raportimin zyrtar për masat e ndërmarra, duke bërë të ditur se do të monitorojë zbatimin e tyre.

Lexoni përmbledhjen e gjetjeve dhe rekomandimeve këtu.