Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mbretëria e Bashkuar shkurton 85% të fondeve për planifikim familjar

QIKA 11.5.2021

Shkurtimi i fondeve nga Mbretëria e Bashkuar do të shkaktoj dëme të mëdha për veprimtarinë e  UNFPA-së. Ky vendim po konsiderohet shkatërrues për gratë dhe vajzat.

Kombet e Bashkuara konfirmuan të mërkurën se Mbretëria e Bashkuar, donatori më i madh, po shkurton fondet për kontraceptivë dhe furnizimet e shëndetit riprodhues për 85% këtë vit – nga 154 milion në 23 milion dhe duke shkurtuar fondet kryesore nga 20 milion në 8 milion funta, raporto The Guardian.

UNFPA tha se 130 milion funta që janë hequr nga fondi do të kishin ndihmuar në parandalimin e vdekjeve të një çerek milioni fëmijësh dhe nënash, 14.6 milion shtatzënive të pa planifikuara dhe 4.3 milion aborteve të pasigurta.

Commonwealth and Development Office (FCDO) aktualisht mbështet midis 60-70% të buxhetit të furnizimeve të UNFPA-së. Vitin e kaluar premtoi 425 milion funta deri në vitin 2025.

“UNFPA e sheh situatën mjaft sfiduese me të cilën po përballen shumë qeveri donatore, megjithatë ndjej keqardhje të thellë për vendimin e partnerit tonë të vjetër për t’u larguar nga angazhimet në një kohë kur pabarazitë po thellohen dhe solidariteti ndërkombëtar është i nevojshëm më shumë se kurrë”, tha drejtorja ekzekutive Natalia Kanem. “E vërteta është se kur financimi ndalet, gratë dhe vajzat vuajnë, veçanërisht gratë e varfëra”, vazhdoi ajo.

Gift Malunga, përfaqësuesja e UNFPA-së në Zambia, tha se ishte e tronditur nga lajmi “Është shumë problematike, jemi shumë të shqetësuar se gratë dhe vajzat më të rrezikuara do të vuajnë më shumë. Ne jemi ende duke u përpjekur të vlerësojmë ndikimin por ajo që është e sigurt është se ky vendim do të ketë një efekt negativ në cilësinë e jetës së grave dhe vajzave.”, tha ajo.

UNFPA furnizon 70% të kontraceptivëve në Zambia, ku pothuajse një e treta e vajzave do të mbeten shtatzënë para se të mbushin 18 vjeç.

Shkurtimet e fondeve janë pjesë e planeve të Britanisë për të ulur buxhetin e ndihmës jashtë shtetit nga 0.7% në 0.5% të të ardhurave bruto kombëtare. Një zëdhënës i FCDO tha: “Ndikimi sizmik i pandemisë në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar na ka detyruar të marrim vendime të ashpra, por të domosdoshme, përfshirë uljen përkohësisht të shumës së përgjithshme që shpenzojmë për ndihmë.”

“Përsëri  do të shpenzojmë më shumë se 10 miliardë funta këtë vit për të luftuar varfërinë, për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe për të përmirësuar shëndetin global”, shtoi ai.