Ligji i ri për popullsinë në Iran shkel edhe më tej të drejtat e grave për shëndetin seksual e riprodhues dhe vë në rrezik shëndetin dhe jetën e grave, deklaroi Human Rights Watch. Sipas tyre, autoritetet iraniane duhet të shfuqizojnë menjëherë dispozitat që kufizojnë të drejtat e njeriut.
Më 1 nëntor 2021, Këshilli Gardian i Iranit miratoi projektligjin për “përtëritjen e popullsisë dhe mbështetjen e familjes”. Projektligji i cili shton kufijtë ekzistues për qasjen në kontracepsion dhe abort, do të mbetet në fuqi për shtatë vjet. Projektligji, i miratuar fillimisht nga Parlamenti më 16 mars, pritet të bëhet ligj kur të nënshkruhet dhe publikohet në gazetën zyrtare, që pritet të ndodhë brenda muajit të ardhshëm.
Disa nene kufizojnë më tej qasjen tashmë të penguar në abortin e sigurt. Neni 56 mandaton Ministrinë e Shëndetësisë të krijojë një komision që përfshinë mjekë, juristë islamikë, përfaqësues të gjyqësorit dhe komisionit parlamentar të shëndetësisë për të hartuar rregullore të reja për abortin që mund të çojë në kufizime të mëtejshme. Sipas ligjit aktual, aborti mund të kryhet ligjërisht gjatë katër muajve të parë të shtatzënisë nëse tre mjekë bien dakord se shtatzënia kërcënon jetën e një gruaje ose fetusi ka paaftësi të rënda fizike ose mendore që do të krijonin vështirësi ekstreme për nënën.
Ky ligj ndalon shkarkimin ose transferimin grave që punojnë gjatë shtatzënisë kundër vullnetit të tyre, por nuk trajton mungesën e dispozitave kundër diskriminimit në praktikat e punësimit, të cilat mund t’i mbajnë gratë jashtë fuqisë punëtore.
Projektligji ndalon prodhimin e materialit kulturor kundër politikave të popullsisë së vendit dhe mandaton agjencinë shtetërore të transmetimit në Iran të prodhojë programe që inkurajojnë gratë të kenë fëmijë dhe denoncojnë vendimet për të mbetur beqare, për të pasur më pak fëmijë ose për të kryer abort.