Në shtetet që e kanë ndaluar abortin, disa gra me shtatzëni të padëshiruara po ndjekin një zgjidhje të papërshtatshme: ato po i “menaxhojnë vetë” abortet e tyre, duke kërkuar njohuritë e nevojshme në internet dhe duke marrë medikamente pa mbikëqyrjen e mjekut.
Edhe përpara vendimit të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar Roe v Wade, abortet me ilaçe përbënin më shumë se gjysmën e aborteve në Shtetet e Bashkuara. Rregullatorët federalë e bënë edhe më të lehtë qasjen në pilula gjatë pandemisë duke hequr kërkesën për një vizitë fizike dhe duke lejuar që barnat t’u dërgohen pacientëve me postë.
Me përmbysjen e Roe v Wade, aborti tani është i ndaluar në të paktën 10 shtete. Kritikët e abortit këmbëngulin se abortet me ilaçe janë më të rrezikshme sesa pretendohet, dhe aq më tepër pa mbikëqyrje mjekësore. Procedura nuk duhet të ndërmerret përtej 10 javëve të shtatzënisë, theksojnë ata, ose të kryhet pa vizitën e mjekut.
Në vitin 2020 në Shtetet e Bashkuara, më shumë se gjysmë milioni gra kryen aborte me ilaçe dhe më pak se 1 përqind prej tyre përjetuan komplikime serioze, tregojnë studimet. Ndërhyrjet mjekësore si shtrimet në spital ose transfuzionet e gjakut ishin të nevojshme nga më pak se 0.4 përqind e pacientëve.